Shtohen bizneset shqiptare në Itali, 34% më shumë se 2019
Emigrantët shqiptarë, të punësuar në Itali dhe sipërmarrësit emigrantë shqiptarë në Itali, janë ndër kontribuesit kryesor në ekonominë e vendit përtej Adriatikut, raporton nga Italia Alba Kepi.
Autoritetet italiane kanë publikuar raportin vjetor mbi rolin që emigracioni ka në ekonominë italiane e komuniteti i emigrantëve shqiptarë është një nga përbërësit kryesorë të kontributit në Prodhimin e Përgjithshëm Bruto PPB të këtij vendi.
Emigrantët shqiptarë janë ndër më historikët në Itali në këto 3 dekadat e fundit dhe marrja e nënshtetësisë italiane prej shumë prej tyre ka bërë që numri i emigrantëve shqiptarë të shfaqet në reduktim vit pas viti.
Sipas raportit vjetor të sapopublikuar, sot në Itali jetojnë 440,854 emigrantë shqiptarë, të cilët rënditen në vend të dytë pas atyre rumunë, 1 207 919.
Numri i përgjithshëm i emigrantëve nga të gjitha komunitetet e huaja që jetojnë në Itali është 5.3 milionë, 50 % e tyre vijnë nga vendet e kontitentit europian e 30% nga vendet anëtare të BE, raporton Ora News.
Taksat e kontributet vjetore që derdhin çdo vit emigrantët në Itali kanë një vlerë prej 18 miliardë eurosh.
Emigrantët shqiptarë të punësuar janë ndër më të shumtit në numër pas atyre rumunë e së bashku me punonjësit nga Ukraina, Kina e Marok përbëjnë 5 kombësitë kryesore të 50% të të punësuarve në Itali.
7.8% e tyre janë shqiptarë e përqindja më e lartë e tyre është punësuar në rajonet Lombardi, Lazio, Emilia Romagna, Veneto, etj.
Raporti i 2020 evidenton një rritje të dukshme të sipërmarrjes së emigrantëve shqiptarë në Itali në krahasim me një vit më parë.
Numri i sipërmarrësve shqiptarë në Itali sot është 46,917, me një rritje prej 34.4% më shumë se viti 2019, që ishte rreth 34 mijë.
Sipërmarrësit emigrantë shqiptarë renditen të katërtit nga numri, pas sipërmarrësve kinezë, rumunë e marokenë.
Sektorët kryesorë të bizneseve të tyre janë ai i ndërtimit, i shërbimeve, hoteleri-restorante, tregti, e bujqësi. Shumica e bizneseve është pozicionuar në Lombardi, Toskana, Lazio, Veneto, Emila Romagna, raporton Ora News.
Bizneset e huaja në Itali kanë një vlerë të shtuar prej 125.9 miliardë euro baraz me 8% të ekonomisë italiane.
Pasuria që prodhojnë puna e emigrantëve vlen 9.5% të PPB, baraz me 147 miliardë euro, ndërsa potenciali i tyre mund të jetë më i larë nëse nuk pengohen nga emigrantët e paligjshëm dhe puna në të zezë.
“Sanatoria 2020”, procesi i madh i legalizimit të emigrantëve klandestinë që u ndërmor gjatë këtij viti nga qeveria “Conte 2” i ka sjellë shtetit italian një kontribut të menjëhershmë prej 30 milionë eurosh, si taksa andministrative të detyrueshme të paguara nga emigrantët që paraqisnin kërkesën për të marrë leje qëndrimi .
Parashikohet që brenda vitit 2020 kjo shumë të arrijë në 360 milionë euro në formën e taskave e të kontributeve të derdhura nga emigrantët e sapo pajisur me leje të rregullt qëndrimi.