Shtohet alarmi për variantin e ri të koronavirusit, Britania nis testimin masiv
Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se këtë të martë do të nisë testimin masiv të popullsisë për COVID-19, me qëllim ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit. Vendi po i druhet përhapjes së variantit të ri, që është zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut dhe ka një shkallë të lartë infektimi. Sipas mediave britanike, deri më tani autoritetet shëndetësore në Angli kanë evidentuar në total 105 raste të variantit të ri të Afrikës së Jugut.
Të infektuarit janë shpërndarë në pjesë të ndryshme të Anglisë e për këtë arsye frika e autoriteteve është në rritje. Ata kanë paralajmëruar se pas testimeve, edhe personat që janë asimptomatikë do të izolohen, për të ndaluar një përhapje më të madhe. Ka dyshime se ky variant, bashkë me mutacionin britanik, të jenë më lehtë të transmetueshëm duke rritur presionin mbi spitalet.
“Është shqetësuese, është thellësisht shqetësuese. Është ende një fazë shumë e rrezikshme e këtij virusi dhe ne kemi të përhapur këto variantet e reja”, ka thënë ministri i ri i arsimit Michelle Donelan për “Sky”.
Ndërkohë, sipas raportimeve të fundit, kurba e infektimeve është në rënie në Britani, ndryshe nga fundi vitit 2020, ku infektimet ishin në masë më të madhe. Pjesë e alarmit ndërkohë mbetet edhe importi i të tjera varianteve nga jashtë territorit si ai i Afrikës së Jugut dhe Brazilit. Ky mutacion u zbulua fillimisht në dhjetor 2020.