Shtohet presioni ndaj Kinës, ShBA-Britani dënojnë veprimet e Pekinit në Hong Kong dhe Xinjinag

Pasi përjashtuan kompaninë Huawei nga tregjet e tyre, tani ShBA-ja dhe Britania po synojnë ndërtimin e një aleance ndërkombëtare kundër Kinës. Gjatë vizitës së tij në Londër, sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo dënoi shfrytëzimin e pandemisë nga Pekini për të miratuar një ligj sigurie për Hong Kongun dhe keqtrajtimin e myslimanëve ujgurë.

Fuqitë botërore po shtojnë presionin ndaj Kinës dhe kërkojnë ndalimin e abuzimit me të drejtat e njeriut në rajonin e Xinjinag-ut ku banon një komunitet etnik mysliman ujgur. Prej kohësh Pekini zyrtar është vendosur nën akuzë për izolimin e myslimanëve ujgurë në kampe përqendrimi dhe për sterilizimin e grave në përpjekje për të ndaluar rritjen e popullsisë.

Nga Londra sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo kërkoi bashkimin e të gjitha vendeve kundër kërcënimit të Partisë Komuniste të Kinës. Pompeo takoi së pari kryeministrin britanik Boris Johnson dhe më pas homologun Dominic Raab.

Gjatë konferencës së shtypit, të dy nënvizuan nevojën e bashkëpunimit të Londrës dhe Uashingtonit me aleatët e tjerë për të mbrojtur vlerat demokratike në botë. Deklarata të tilla vijnë ndërsa tensionet me Kinën dhe Rusinë po arrijnë nivele të reja.

Kina miratoi në mënyrë të njëanshme një ligj sigurie për rajonin autonom të Hong Kongut, gjë që detyroi Britaninë të ndalojë kompaninë kineze të teknologjisë Huawei si dhe të pezullojë marrëveshjen e ekstradimit me rajonin.

Pompeo e përdori konferencën e shtypit për të nënvizuar rrezikun e Kinës dhe tha se pandemia e koronavirusit filloi nga qyteti kinez i Wuhan-it.

“Shfrytëzimi që Partia Komuniste e Kinës i bën kësaj katastrofe për interesat e veta është i turpshëm,” tha Pompeo.

Nga ana e tij sekretari i Jashtëm britanik Raab, refuzoi kritikat për dështimin e qeverisë për të neutralizuar rrezikun rus, kjo pas rrjedhjes në media të një raportimi sekret parlamentar për ndërhyrjen e Moskës në referendumin e Brexit-it për daljen nga BE-ja.

Aleancës britaniko – amerikane kundër Kinës, i bashkohet tani edhe Franca. Gjatë një debati parlamentar, ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian dënoi trajtimin e myslimanëve ujgurë dhe kërkoi dërgimin e vëzhguesve të pavarur në Xinjiang.

“Të gjitha sjelljet bien ndesh me parimet globale të të drejtave të njeriut dhe ne i dënojmë ato me forcë,” u tha Le Drian deputetëve.

SHKARKO APP