Shtuan masat anti-COVID/ Gjykata rrëzon qeverinë e Holandës: Hiqni kufizimet, po shkelni të drejtat e qytetarëve
Një gjykatë në Hagë ka hedhur poshtë sot një vendim të qeverisë holandeze për izolimin gjatë natës të popullatës.
BBC shkruan se gjykata në fjalë ka urdhëruar qeverinë se izolimi gjatë natës për frenimin e përhapjes së virusit duhet të ndalojë menjëherë, pasi shkel të drejtat e njeriut.
Aktualisht orari i kufizimeve nis nga ora 21:00 deri në 4:30 të mëngjesit. Kryeministri i vendit Mark Rutte, u ka bërë thirrje qytetarëve të zbatojnë rregullat e orës policore.
Qeveria nga ana e saj i kërkoi gjykatës të pezullojë vendimin e saj deri në dëgjimin e apelimit që do të mbahet në fund të javës, ndërsa policia tha se është e përgatitur për të dyja skenarët.
“Ne nuk e kishim menduar heqjen e orës policore pasi besojmë se është e nevojshme”, tha Rutte. Kryeministri e përshkroi vendimin e gjykatës “si një pengesë” dhe shtoi se kabineti ka nisur të punojë për një ligj të ri kufizimesh të lëvizjeve, por kjo mund të kërkojë shumë kohë.
Masa për orën policore në Holandë, që u rrëzua nga gjykata, kishte hyrë në fuqi në 23 Janar, me qëllim kufizimin e lëvizjeve në orët e vona kryesisht mes të rinjve, por shkaktoi trazira të ashpra dhe përleshje me policinë në disa qytete. Holanda nuk kishte parë orë policore që pushtimit nazist në Luftën II Botërore.