Sirena e alarmit e “manisë për të fortët”

Minxin Pei*

“Të fortët” në politikë janë kthyer në modë. Jo shumë kohë më parë, presidenti rus Vladimir Putin ishte vetëm një nga udhëheqësit e denjë për t’u etiketuar kështu. Sot, ai ka më shumë konkurrencë.

Trendi mund të shihet në regjimet tradicionalisht autokratike. Presidenti kinez Xi Jinping është ndoshta lideri më i fuqishëm i vendit, që nga vdekja e Mao Ce Dunit katër dekada më parë.

Por diçka e ngjashme mund të shihet në vende që janë lëvduar, si demokraci të reja model. Në Turqi, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, i cili kishte kohë që zhvendosej drejt autokracisë, e ka përqendruar pushtetin, edhe shumë pas grushtit të dështuar të shtetit muajin e kaluar. Kryeministri hungarez, Viktor Orban ka kthyer përmbys një histori suksesi post-komuniste, me një kthesë të fortë drejt joliberalizmit. Edhe në Filipine, ku Revolucioni i Pushtetit të Popullit përmbysi Ferdinand Marcosin në vitin 1986, votuesit kanë zgjedhur si presidentin e tyre Rodrigo Duterten, një “i fortë”, populist i betuar, si dhe luftëtar gati “të shkrepë pushkën”, kundër baronëve të drogës.

Edhe demokracitë më të qëndrueshme në botë, janë infektuar nga mania e të fortëve. Në Austri, Norbert Hofer, lideri i Partisë së Lirisë, të ekstremit të djathtë, ka të ngjarë të zgjidhet president në tetor. Dhe në Shtetet e Bashkuara, Donald Trumpi ka kapitalizuar mbi frustrimin dhe paragjykimet e pjesëve të elektoratit amerikan për të fituar një shans – fatmirësisht, po i dobësohet ky shans nga dita në ditë – për t’u bërë presidenti i ardhshëm i vendit.

Ky “përqafim” i liderëve të cilët premtojnë se vetëm ata mund të rregullojnë problemet e shoqërisë, dhe të rikthejnë një të kaluar të idealizuar, reflekton injorancën e përhapur për natyrën dhe pasojat e sundimit populist. Në fakt, historia nuk ka qenë e mirë me këta lloj sundimtarësh. Ashtu si udhëheqësit e sotëm, ata shpesh kanë ardhur në pushtet, mbi një valë zemërimi publik kundër dështimeve të perceptuara të demokracisë – dështime që as nuk kishin ndërmend t’i ndreqnin. Në vend të kësaj, një herë që merrnin pushtetin, ata shpesh herë ndiqnin një agjendë krejtësisht të ndryshme – një që zakonisht i përkeqësonte shumë më tepër gjërat.

Nuk ka nevojë të shohësh më tej se Venezuela, ku rënia ekonomike e sotme është pasojë e padiskutueshme e sundimit katastrofik të populistit “par excellence”, Hugo Chavez. Njerëzit i donin shumë skemat e mirëqenies sociale të Chavezit, të pashqetësuar se ato ishin ngritur mbi të ardhurat e naftës dhe borxhit të jashtëm. Për sa kohë që fitimet vërshuan, Chávezi ishte i lirë për të shpronësuar industritë dhe shkurajuar konkurrencën private. Nuk është habi që, diversifikimi ekonomik ngeci, dhe kur çmimet e naftës ranë, po kështu e pësoi edhe ekonomia.

Kjo nxjerr në pah një arsye kryesore pse “të fortët”, pothuaj gjithmonë i çojnë vendet e tyre drejt katastrofës. Pasi fitojnë vota me atë që në dukje është vendosmëri dhe sinqeritet, udhëheqës të tillë kapin autoritet të mjaftueshëm për të marrë vendime të shpejta, dhe të demonstrojnë rezultate afat-shkurtëra – pra duke i mbajtur votuesit në anën e tyre, teksa vazhdojnë të pretendojnë autoritet edhe më të madh.

Por vendosmëria mbart një kosto të lartë. Me askënd që të kontrollojë sjelljen e tyre, të fortët rrallëherë llogarisin rreziqet afatgjata. Në fund, prosperiteti i premtuar nuk vjen, të paktën jo për një kohë të gjatë. Në vend të kësaj, ekonomia zakonisht përfundon në gërmadhë.

Dhe kjo nuk është më e keqja. Votuesit dorëzojnë liritë për atë prosperitet që u premtohet, si e ilustron fare mirë Rusia nën Putinin. Putini premtoi stabilitet dhe rend, dhe e konsolidoi pushtetin e tij duke vënë poshtë kundërshtarët politikë, si liberalët, edhe oligarkët. Pastaj ai filloi në mënyrë metodike, të shkatërrojë institucionet e brishta demokratike të Rusisë, mbysë shtypin, dhe kufizojë liritë civile, duke përfshirë lirinë e tubimit. Më pak se një dekadë më vonë, ai kishte ngritur një regjim personal autokratik, mbi rrënojat e një demokracie të re, me të meta. Dhe, si në Venezuelë, mungesa e modernizimit ekonomik dhe diversifikimit, e lidhi fatin e ekonomisë, me tregun global të naftës.

Aftësia për të kritikuar lirisht qeverinë është dallimi kryesor mes demokracisë dhe diktaturës. Pra, si mundet dikush të besojë, se një udhëheqës, i cili kufizon të drejtën e njerëzve për të folur mund të ruajë një demokraci, edhe pse me të meta? Në fakt, kombinimi i lirisë së shprehjes dhe konkurrencës zgjedhore është çelësi për përmirësimin e demokracisë, për shkak se mundëson që dështimet sistemike – për të mos përmendur hapat e gabuar të udhëheqësve – t’i nënshtrohen shqyrtimit prej publikut.

Qeveria autokratike e Kinës është e famshme për shmangien e një shqyrtimi të tillë, duke shtypur lirinë e informacionit. Elementet e saj të shumtë të censurës në internet – nga bllokimi i artikujve politikisht të ndjeshëme në Uikipedia, në filtrimin e disa fjalëve kyçe nga kërkimet në internet – bëhen bashkë për të formuar të ashtuquajturin Muri i Madh kibernetik i Kinës. Ky mur, së bashku me censurën e shtypit, u mundëson udhëheqësve të Kinës që të fshehin dështimet e tyre dhe të nxjerrin në pah arritjet e tyre, ndonëse të dyshimta.

Putini sillet në mënyrë të ngjashme, duke përdorur shtypin për të theksuar, për shembull, se aneksimi i Krimesë nga Rusia u ka kujtuar kundërshtarëve perëndimore të saj, “madhështinë” e këtij vendi. Orbáni dhe Erdogani duket se veprojnë bazuar në rregullat e të njëjtit libër.

Për më tepër, ashtu si Kina, Rusia ka përqafuar spektaklet ekstravagante si Lojërat Olimpike, në një përpjekje për të shfaqur në vitrinë madhështinë e saj, si dhe mirësinë e udhëheqësve. Mbulimi i ngjarjeve të tilla mbush hapësirën mediatike, që duhet të përdoret për të diskutuar çështje serioze të qeverisjes.

Në qoftë se këto nuk ishin të mjaftueshme për të bindur votuesit, mbi rreziqet që vijnë nga autokratët populistë, mund të merren në konsideratë humbjet njerëzore të atyre që jetojnë nën sundimin e tyre. Ndoshta dhjetëra gazetarëve të cilët janë arrestuar në Turqi, që nga përpjekja për grusht shteti, apo familjet e shumë kundërshtarëve të Putinit që kanë përfunduar të vdekur, mund të japin një pasqyrë të kostos së të jetuarit në frikë të vazhdueshme prej qeverisë.

Popullariteti në rritje i të fortëve në shumë vende të botës, mundet ose nuk mundet të shënojë agimin e një epoke të re autokratike. Të fortët priren të vetëshkatërrohen, për shkak të gabimeve kolosale që shpien drejt fundit ambiciet e tyre madhështore. Për fat të keq, ata kanë tendencë që të lënë pas, një demokraci të komprometuar rëndë dhe një ekonomi të shkatërruar.

Në fund të fundit, mbrojtja më e mirë kundër pasojave të tilla është që të parandalohet ngjitja në pushtet e autokratëve populistë. Vendet që kanë zgjedhur udhëheqës të tillë duhet të shërbejnë si një paralajmërim për të tjerët, që janë të tunduar për të ndjekur një rrugë të ngjashme.

*Project Syndicate-BIRN

SHKARKO APP