Siri, 4 civilë të vrarë nga sulmet ajrore ruse në Idlib

Të paktën katër civilë kanë humbur jetën nga sulmet e avionëve të Rusisë që po vazhdojnë mbi vendbanimet civile në rajonin e Idlibit në veriperëndim të Sirisë.

Sipas observatorit ajror të opozitës, avionët rusë gjatë ditës kanë sulmuar rrethin Darat Izza dhe fshatrat Sahhara, Kafar Naha, Anzimo, Tedil dhe Ajil në pjesën periferike të Halepit dhe fshatrat Kafar Sajna, Has dhe Haba.

Sipas burimeve nga agjencia e mbrojtjes civile, e njohur si Helmetat e Bardha, katër civilë kanë humbur jetën gjatë sulmeve në fshatin Sahara të Halepit, që bën pjesë brenda kufijve të zonës së deeskalimit të Idlibit.

Ekipet e mbrojtjes civile po ashtu kanë hasur në një sulm rus gjatë tentativës për të shkuar në Sahara, me çka një pjesëtar i tyre është plagosur.

Që nga dhjetori i vitit të kaluar, forcat e regjimit sirian të mbështetura nga Rusia po zhvillojnë një ofensivë të ashpër ndaj rajonit të Idlibit në Sirinë veriperëndimore, bastioni i fundit i mbajtur nga opozitarët në luftën civile nëntëvjeçare të vendit.

Në shtator të vitit 2018, Turqia dhe Rusia ranë dakord ta kthejnë Idlibin në një zonë deeskalimi, në të cilën aktet e agresionit janë të ndaluara.

Megjithatë, më shumë se 1.800 civilë janë vrarë nga sulmet e regjimit dhe aleatëve që nga ajo kohë, duke shkelur armëpushimin e vitit 2018 dhe atë që filloi më 12 janar.

Më shumë se 1,7 milion sirianë kanë ikur afër kufirit turk për shkak të sulmeve që nga fillimi i vitit të kaluar.//AA

SHKARKO APP