Siria, viti 0! Ja çfarë e pret botën
Përmbysja e regjimit të Bashar al-Assad, që dikur dukej e largët, është bërë realitet. Pas 13 vitesh lufte civile të përgjakshme, rebelët sirianë përfundimisht kanë rrëzuar një nga diktaturat më të egra të Lindjes së Mesme. Tashmë, Siria ndodhet në një epokë të re, të mbushur me shpresë dhe pasiguri.
Në një ofensivë të papritur dhe të shpejtë, një aleancë rebele, e udhëhequr nga grupi militant Hayat Tahrir al-Sham (HTS), përmbysi regjimin e Assad. Fushata filloi më 30 nëntor me marrjen e qytetit Alepo dhe përfundoi në vetëm 11 ditë me “çlirimin” e Damaskut. Rebelët përparuan pa shumë rezistencë, duke marrë qytetet kryesore si Hama dhe Homs para se të hynin në Damask. Videot treguan çlirimin e të burgosurve nga burgjet famëkeqe të Assad-it, si dhe grabitjen e pallatit presidencial, ku u zbuluan pasuri të mëdha.
Assad dhe familja e tij, sipas burimeve ruse, kanë ikur në Moskë, ku iu dha azil politik. Kjo përmbysje e papritur ka hapur rrugën për një Siri pa Assad, por me shumë pyetje mbi të ardhmen.
Kush janë rebelët?
Rebelët janë një koalicion i quajtur Komanda e Operacioneve Ushtarake, i përbërë nga fraksione islamiste dhe moderatore, të bashkuara në kundërshtimin e Assad-it, ISIS-it dhe milicive të mbështetura nga Irani. Udhëheqësi i tyre, Abu Mohammad al-Jolani, është një figurë komplekse. I njohur fillimisht si bashkëpunëtor i Al-Kaedës, ai është përpjekur vitet e fundit të distancohet nga radikalizmi dhe të paraqitet si një politikan pragmatik. HTS, grupi që ai drejton, kontrollonte qytetin Idlib, nga ku nisi ofensiva. Megjithatë, HTS është ende i konsideruar një organizatë terroriste nga SHBA, Turqia dhe OKB, dhe Jolani mbetet në listën e të kërkuarve ndërkombëtarë. Rebelët kanë premtuar krijimin e një qeverie të re të bazuar në institucione dhe një “këshill të zgjedhur nga populli,” por historia e tyre lë shumë për t’u shqetësuar.
Pse ndodhi tani?
Pas një pauze relative në luftimet që nga marrëveshja e armëpushimit në 2020, rebelët përfituan nga dobësimi i aleatëve kryesorë të Assad-it. Rusia është e zhytur në luftën e saj në Ukrainë, ndërsa Irani është i zënë me konfliktin e tij me Izraelin. Ky vakum i dha rebelëve hapësirën për të ndërmarrë një ofensivë të suksesshme. Ndërkohë që Assad dikur mbështetej te fuqitë si Rusia dhe Irani, sot ai është i izoluar dhe forcat e tij nuk ishin të afta të ndalonin përparimin e rebelëve.
Çfarë do të ndodhë më tej?
E ardhmja e Sirisë mbetet e paqartë. Ndërsa shumë sirianë festojnë fundin e regjimit të Assad-it, disa kanë frikë nga e kaluara e HTS dhe fraksioneve të tjera rebele. Janë ngritur pyetje nëse Siria do të përballet me një autoritarizëm të ri apo nëse mund të ndërtohet një sistem demokratik dhe gjithëpërfshirës. Presidenti amerikan Joe Biden e quajti rënien e Assad-it “një mundësi historike për popullin e Sirisë”, por paralajmëroi për rreziqet e një destabilizimi të mundshëm rajonal.
Impakti global
Rënia e Assad ka tronditur Lindjen e Mesme dhe më gjerë. Irani, një nga mbështetësit kryesorë të regjimit, ka humbur ndikimin e tij në Siri, ndërsa Izraeli e ka cilësuar zhvillimin si “një ditë historike.” Megjithatë, Izraeli ka përforcuar kufirin me Sirinë, duke reflektuar shqetësimin për të ardhmen.