Situata në Afganistan/ Macron: Nuk do të lejojmë emigracionin e paligjshëm

Europa sheh me shqetësim zhvillimet në Afganistan, në pritje të një vale të re refugjatësh. Ndërsa qytetarët atje u përfshinë në përpjekje të dëshpëruara për t’u larguar nga vendi i pushtuar prej talebanëve, presidenti francez Emanuel Macron zotohet të ndalë vërshimet drejt kontinentit të vjetër, dhe thotë se Europa do të krijojë një mekanizëm për t’u mbrojtur nga emigrantët e paligjshëm.

Emanuel Macron: Destabilizimi në Afganistan rrezikon të sjellë emigracion të paligjshëm në Europë. Franca do të vijojë të ndihmojë ata që janë më të kërcënuar. Por Afganistani duhet të mobilizojë forcat e veta. Europa nuk mund të vuajë pasojat e situatës aktuale.

Kryeministri Boris Johnson kërkoi mbajtjen e një samiti të G7-tës, ndërsa Këshilli për Punët e Jashtme të BE, mblidhet me urgjencë për të diskutuar zhvillimet.

Sakaq, kancelarja Angela Merkel pranon se kishin gabuar të gjithë kur kishin besuar se forcat afgane mund t’i bënin rezistencë talebanëve.

Angela Merkel: Kemi gabuar të gjithë me Afganistanin, ishim atje për gati 20 vite dhe gjatë kësaj kohe nuk i përmbushëm ato që synonim. Duhet thënë se nuk ishte një përpjekje e suksesshme dhe duhet të nxjerrim mësimet tona.

Gjatë një takimi të jashtëzakonshëm, Këshilli i Sigurimit të OKB i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ofrojë ndihmë humanitare për popullin afgan gjatë një situtate kaq të vështirë.

“Nuk mundet dhe nuk duhet ta braktisim popullin afgan’, tha sekretari i Përgjithshëm i OKB Antonio Guterres. Ai kërkoi fundin e menjëhershëm të dhunës, respektimin e të drejtave të të gjithë afganëve dhe të marrëveshje ndërkombëtare në të cilat Afganistani është pjesë.

SHKARKO APP