Situatë e rëndë nga Covid-19, në Europë rikthehen masat kufizuese
Izolimet nga pandemia e Covid-19, nga java në javë filluan që të zbuteshin në kontinentin europian por tani qeveritë po kërkojnë më shumë kujdes dhe kanë filluar madje të marrin edhe masa shtesë pasi infeksionet po fillojnë të rriten në disa zona.
Ministri i Shëndetësisë në Francë, Oliver Veran, tha se donte të evitonte një tjetër izolim dhe i kërkoi njerëzve të mos ulin vigjilencën. Në Rumani, autoritetet planifikojnë ti bëjnë maskat të detyrueshme në ambjentet e shumëfrekuentuara të hapura dhe të mbyllë baret pas orës 23:00. Numrat atje janë rritur kohët e fundit, me më shumë se 1 mijë çdo ditë të javës së kaluar.
Në Itali, senati votoi për zgjatjen e gjendjes së emergjencës. Kryeministri Giuseppe Conte, tha se infektimet po rriteshin edhe në vendet e tjera fqinje, përfshirë Francën, Spanjën dhe në Ballkan dhe kërkoi për më shumë vigjilencë në mënyrë që të evitohej një rikthim i virusit, i frikshëm si më parë.
Shefi i agjencisë gjermane të shëndetit publik po ashtu ka shprehur shqetësim nga rritja e infeksioneve. Lothar Wieler, tha se gjermanët janë bërë neglizhentë dhe i kërkoi njerëzve të mbanin maska dhe të respektonin distancimin social dhe rregullat e higjienës.