Situatë e tensionuar në Ukrainë, amerikanët të prerë me rusët: Mos guxoni ta prekni

Shtetet e Bashkuara kanë qenë të prerë me rusët në mesazhin e tyre sa i përket situatës në Ukrainë. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se do të ketë “pasoja” nëse Rusia “vepron në mënyrë të pakujdesshme ose agresive” ndaj Ukrainës.

“Presidenti Biden ka qenë shumë i qartë në lidhje me këtë,” tha Blinken për mediet amerikane këtë të dielë.

“Nëse Rusia vepron pa kujdes, ose në mënyrë agresive, do të ketë kosto, do të ketë pasoja.

Shqetësimet në kufirin mes Ukrainës dhe Rusisë janë rritur pas grumbullimit të trupave të Moskës pranë kufijve të Ukrainës.

Luftimet janë përshkallëzuar midis trupave të qeverisë ukrainase dhe separatistëve pro-rusë në lindje të vendit në javët e fundit. Këtë të dielë ushtria ukrainase tha se një ushtar u vra dhe një tjetër u plagos rëndë në zjarr artilerie nga rebelët separatistë të mbështetur nga Rusia

Kremlini ka hedhur poshtë thirrjet e BE-së dhe SHBA-së për t’i tërhequr trupat, duke mohuar që ato të jenë një kërcënim ndërsa shton se lëvizjet ushtarake brenda Rusisë janë një çështje e brendshme dhe sovrane. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha këtë të dielë se “askush nuk po planifikon të shkojë drejt luftës”, por shtoi se Moska “nuk do të mbetet indiferente” ndaj fatit të folësve rusë që jetojnë në Ukrainën lindore.

SHKARKO APP