Situatë kaotike në kufirin Greqi-Turqi, policia greke hedh gaz lotsjellës mbi emigrantët
Policia greke ka hedhur gaz lotsjellës mbi emigrantët që duan të shkojnë drejt vende të BE-së, pasi Ankaraja zyrtare ditë më parë njoftoi se ka hapur kufinjtë për të gjithë ata që duan të kalojnë.
Përplasjet mes policisë dhe turmës së emigrantëve kanë ndodhur përgjatë vijës kufitare me Turqinë, më saktësisht në fshatin Kasteniesa në afërsi të liqenit Evros.
Në anën tjetër presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, gjatë javës së kaluar tha se do t’i hapë kufijtë dhe do t’i lërë të kalojnë të gjitha ata që duan ta bëjnë një gjë të tillë, gjë që ka bërë që mijëra emigrantë të dynden drejt Evropës, shkruan Time.com.
Në kalimet kufitare është krijuar një situatë e tensionuar dhe kaotike, me shumë dhunë, gaz lotsjellës dhe përplasje mes forcave të rendit dhe emigrantëve.
Qeveria greke e ka quajtur situatën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të vendit dhe ka vendosur masa urgjente për të kryer dëbime të shpejta dhe ngrirje të kërkesave për azil. Emigrantët kanë raportuar se po shtyhen prapa kufirit në Turqi.
Vendimi i Turqisë për të hapur kufinjtë e saj për emigrantët erdhi pas një sulmi të qeverisë siriane të mbështetur nga Rusia në provincën veri-perëndimore të Idlib të Sirisë, ku mbetën të vrarë 33 ushtarë turq.
Ndërkohë Oleg Zhuravlev, kreu i qendrës së koordinimit të ushtrisë ruse në Siri, tha të martën e 3 marsit se pretendimet për një krizë humanitare në Idlib ishin të rreme.
Zhuravlev tha se autoritetet turke po “predikonin” rreth 130,000 refugjatë, të cilët ishin në kampe të përkohshme pranë kufirit Turqi-Siri.
“Dy të tretat e tyre nuk janë sirianë. Ata janë afganë, irakianë dhe njerëz nga kombet afrikane”, tha ai.