Solidariteti dhe bashkëpunimi janë armët më të forta kundër epidemisë
“Gjatë kësaj krize, Kina ka zhvilluar aktivisht bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ka ndarë përvojën e përballimit të epidemisë me vendet e tjera, duke marrë përsipër përgjegjësinë e një vendi të madh… Dua t’i shpreh respekt popullit kinez për trimërinë dhe seriozitetin e tij,” tha ish-kryeministri i Francës Jean-Pierre Raffarin, kur vlerësoi luftën e Kinës kundër epidemisë së COVID-19.
Në një koment të saj CMG-ja vëren se, gjatë kësaj epidemie të befasishme, 1.4 miliardë kinezë janë bashkuar dhe po luftojnë me të gjitha përpjekjet, për të ndërtuar një vijë mbrojtëse në këtë drejtim. Për këtë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres vlerësoi se sakrificat e popullit kinez për frenimin e përhapjes së virusit janë një kontribut i madh për të gjithë.
Pas shpërthimit të COVID-19, presidenti i Kinës Xi Jinping ka komunikuar me mbi 20 liderë të vendeve të tjera dhe të organizatave ndërkombëtare, duke theksuar gjithmonë “bashkësinë e fateve të përbashkëta të njerëzimit” dhe se “solidariteti e bashkëpunimi janë armët më të forta kundër epidemisë.”
Njëkohësisht, Kina ka ngulur këmbë në parimin e hapjes, transparencës dhe përgjegjësisë. Ajo ia raportoi menjëherë Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) gjendjen epidemike, ndau menjëherë me mbarë botën renditjen gjenetike të koronavirusit të ri dhe zhvilloi bashkëpunimin ndërkombëtar mes ekspertëve për kontrollin e epidemisë.
Qysh nga marsi, epidemia është acaruar në mbarë globin, duke përfshirë 200 vende e rajone. Siguria globale e shëndetit publik ndodhet përpara sfidave të papara. Me këtë rast, Kina u ka ofruar ndihma 127 vendeve, duke përfshirë Shqipërinë, dhe 4 organizatave ndërkombëtare .Materialet ndihmëse konsistojnë në maska mjekësore, veshje mbrojtëse, kuti testimi të acidit nukleik, ventilatorë etj. Gjithashtu, Kina ka dërguar edhe 17 grupe mjekësore në 15 vende dhe i ka dhuruar OBSh-së 50 milionë dollarë fonde. Kina ka ndarë pa u kursyer përvojën e kontrollit të gjendjes epidemike dhe protokollet e mjekimit me komunitetin ndërkombëtar, ka krijuar në internet qendrën e posaçme të njohurive mbi epideminë e COVID-19, ka organizuar mbi 40 videokonferenca me mbi 100 vende e rajone dhe ka bashkëpunuar me bashkësinë ndërkombëtare në kërkim-zhvillimin të vaksinave e ilaçeve.
Duke mësuar prej përvojës së Kinës, në Teheran, Nju-Jork, Londër e vende të tjera u krijuan spitale të përkohshme, në shumë vende evropiane u zbatuan masat urgjente për kufizimin e lëvizjes së njerëzve, në ShBA u provua mjekimi me plazmë, në Irak të infektuarit me COVID-19 përdorin barna tradicionale kineze etj.
”Për të mposhtur pandeminë, duhet bashkimi, bashkimi, bashkimi!” bëri thirrje kreu i OBSh-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“Kjo pandemi shërben si dëshmi e mirë për solidaritetin e botës,” komentoi “The Lancet”, revista me autoritet në qarqet mjekësore.
Sigurisht, virusi nuk njeh kufij shtetërorë dhe epidemia nuk bën dallim mes racave. Vetëm solidariteti, bashkëpunimi dhe ndihma e ndërsjellë do të jenë shpresa e njerëzimit për kapërcimin e krizës dhe përparimin e mëtejshëm, përfundon komenti i CMG-së.
/Marre nga CRI/