Sot Franca festoi festën kombëtare të saj
Nga Mentor HOXHA (Paris)
Sot, Franca festoi një nga ditët më të rëndësishme të saj. 14 korriku është Festa Kombëtare e Francës, e njohur edhe si dita e Bastijes. Dita e sotme shënon Përvjetorin e 231 të Unitetit të kombit francez. Kjo ngjarje e madhe historike për Francën është festuar gjithmonë me aktivitete të shumta dhe parada madhështore ushtarake ku kanë marrë pjesë Presidenti i Republikës Franceze dhe figura të larta politike nga Franca dhe nga bota. Me rastin e kësaj dite, në Francë dhe në rezidencat e ambasadave franceze në mbarë botën organizohen aktivitete dhe pritje të shumta ku nuk mungojnë urimet. Për shkak të krizës shëndetësore, aktivitetet dhe urimet e sotme u zhvilluan në rrjetet sociale të ambasadës apo përmes takimeve virtuale në internet.
Ndryshe nga festimet e kaluara madhështore, festa e sivjetshme nuk e pati madhështinë që duhet të ketë një festë kombëtare. Munguan festimet e mëdha, paradat gjigande ushtarake dhe liderët botërorë për shkak koronavirusit covid -19 që prej katër muajsh ka pushtuar Francën dhe mbarë botën. Nga ky virus kanë ndërruar jetë në Francë mbi 30 mijë persona dhe janë infektuar mijra të tjerë.
I pranishëm në cermoninë e sotme ishte vetëm Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom. Nga frika e koronavirusit dhe nga masat e marra nga qeveria për distancimin social dhe ndalimin e grumbullimeve apo festimeve të mëdha, pati pak persona në cermoni dhe shumica prej tyre mbanin maskë në fytyrë. Katër vendet evropiane, Gjermania, Zvicra, Austria, Luksemburgu u përfaqësuan në mënyrë simbolike, duke i falënderuar ata që trajtuan 161 pacientë francezë në spitalet e tyre.
Cermonia e festës u zhvillua në ‘Place de la Concorde’ në qendër të Parisit ku mori pjesë pjesë Presidenti francez, Emmanuel Macron me bashkëshorten e tij, Brigitte, kryeministri, Jean Castex dhe të gjithë ministrat. Macron mbërriti për të festuar festën kombëtare në bordin e një makine komande. Kreu i Shtetit, ndau ceremoninë me pak njerëz, vetëm 2. 500 ushtarë të pranishëm dhe 1.400 eksponentë të stafit mjekësor, të konsideruar si heronj të betejës kundër pandemisë. Këto persona përfaqësojnë francezët në vijën e parë gjatë epidemisë: kujdestarët, familjet e kujdestarëve që vdiqën nga Covid-19, mësuesit, arkëtarët, oficerët e funeralit, policët, xhandarët, zjarrfikësit, punëtorët e fabrikës së maskave etj.
Edicioni i vitit 2020 i 14 korrikut filloi me një homazh për gjeneralin e famshëm francez, Charles de Gaulle, kujtimi i të cilit festohet këtë vit me rastin e një përvjetori të trefishtë: 130 vjetori i lindjes së tij, 50 vjetori i vdekjes dhe 80 vjetori i apelit të 18 qershorit 1940.
Parada tradicionale e ushtrisë në Paris, për festën kombëtare të 14 korrikut, u zëvendësua me një ceremoni me format të zvogëluar. Ajo u krye duke respektuar distancën dhe pa automjete të blinduara ose kamionë, ndërkohë disa aeroplanë fluturuan në qiellin e kaltër të Parisit. Pas tyre, helikopterët morën pjesë në operacionet e transportit për pacientët Covid-19. Patrouille de France nisi festimet duke vizatuar në qiell simbolin emblematik të tymit blu-të bardhë të kuq. Në total, rreth njëzet helikopterë dhe rreth pesëdhjetë aeroplanë morën pjesë në paradën e ajrit, duke përfshirë një pajisje transporti A400M dhe një aeroplan të karburantit të Forcave Ajrore A330, të përdorur në kulmin e krizës shëndetësore për të transferuar pacientët me Covid-19. Midis trupave të përfaqësuara ishin edhe regjimenti mjekësor i ushtrisë, i mobilizuar për të hapur një strukturë mjekësore të reanimacionit nën tendë në Mulhouse, ose regjimenti i 2-të i dragoit, i specializuar në kërcënime bërthamore, radiologjike, biologjike dhe kimike, i cili siguroi dezinfektimin e infrastrukturave dhe mjeteve të transportit ushtarak në dispozicion të pacientëve të prekur nga Covid-19. Të pranishëm ishin edhe personeli i Forcave Ajrore që transferuan pacientët me ajër, si dhe detarë nga Marseja. Kujdestarët me pallto të bardha u bashkuan me radhët e ushtarëve për duartrokitjet, ndërsa një flamur i madh blu-i kuq- i bardhë u vendos në Place de la Concorde.
Që nga viti 1945, kjo është parada më e vogël ushtarake e zhvilluar në Paris me 14 korrik. Kjo ngjarje e madhe për kombin francez, e cila zakonisht mbledh një turmë kompakte, nuk ishte e hapur për publikun, por u transmetua në televizion.
Kremtimet e viteve të shkuara janë shoqëruar me aktivitetet të shumta dhe parada ushtarake madhështore në Paris dhe në qytete të tjera franceze. Parada e vitit 2017 filloi me parakalimin prestigjioz të forcave të mbrojtjes në arterien kryesore turistike pariziane Champs Elysées, ku 3720 ushtarë këmbësorë, 211 automjete, 241 kuaj, 63 avionë dhe 29 helikopterë performuan fuqinë mbrojtëse të shtetit francez përballë kombit francez, Presidentit të Republikës, përballë presidentit amerikan, Donald Trump dhe personaliteteve të shumta botërorë.
Ç’FARË SIMBOLIZON 14 KORRIKU PËR KOMBIN FRANCEZ
14 korriku është Festa Kombëtare së Francës. Data 14 Korrik simbolizon triumfin e Revolucionit Francez mbi monarkinë dhe lidhet me marrjen e kështjellës së Bastijes. Kjo ditë e shënuar për popullin francez u aprovua si festë nacionale në vitin 1880. Nga ky vit, kjo datë vazhdon të festohet në mënyrë madhështore. Përmes Festës Kombëtare, Franca rigjallëron krenarinë për unitetit kombëtar.