Spanja ndalon duhanin, ja masat e Greqisë, Italisë dhe Francës
Rajonet spanjolle kanë nisur të zbatojnë një seri masash që synojnë frenimin e infeksionit me Covid-19. Masat e reja që po merren në mbarë vendin përfshijnë mbylljen e klubeve të natës, bareve dhe restoranteve nga ora 1 e mëngjesit. Pirja e duhanit do të ndalohet kur distancimi është i pamundur.
Në Francë, ku kuota ditore e rasteve të reja kaloi kuotën 3 mijë për të dytën ditë rresht, shëtitorja Champs Elysees në Paris iu shtua zonave ku mbajtja e maskave është me detyrim.
Në Itali, e cila po përballet me një rritje të rasteve pjesërisht për shkak të të rinjve, qeveria ka urdhëruar një mbyllje 3-javore të diskotekave. Ajo e ka bërë të detyrueshme mbajtjen e maskës në hapësirat publike, ku nuk është e mundur të ruhet distancimi social.
Edhe Greqia ka zgjeruar listën e vendeve, qytetarët e të cilave nuk do të lejohen të hyjnë në territorin grek. Nga sot deri në fund të gushtit, vizitorët nga shtete të shumta anëtare të BE-së, përfshirë Belgjikën, Çekinë, Holandën, Spanjën dhe Suedinë do të detyrohen të japin rezultatet e testit Covid, që nuk duhet të jetë më i vjetër se 72 orë para mbërritjes.