Spanja në prag zgjedhjesh, socialistët sërish në krye
Zgjedhjet e reja që organizohen në Spanjë këtë fundjavë kanë pak gjasa të zgjidhin ngërçin qeveritar. Në debatin e së hënës, kandidatët për kryeminstër u përplasën për temat më të nxehta, ndërsa në qendër të akuzave ishte kryeministri aktual në detyrë, Pedro Sançez.
Spanja të dielën organizon zgjedhjet e parakohshme. Sondazhet tregojnë se asnjë nga partitë politike nuk do arrijë të marrë votat për të qeverisur e vetme, ndaj ngërçi për formimin e qeverisë do të vazhdojë.
Kryeministri socialist në detyrë, Pedro Sançez, pritet të ruajë avantazhin me gati 120 nga 350 deputetë në total, konservatorët e Partisë Popullore mund të marrin 90, Podemos rreth gjysmën dhe partia ultradjathtiste “Voks” dyfishin e mandateve të prillit ose mbi 40 deputetë.
Në debatin që u mbajt të hënën, kandidatët kryesorë për kryeministër u përplasën rreth temave të separatizmit, rritjes ekonomike dhe emigracionit.
Kundërshtarët akuzuan kryeministrin Sançez se është treguar tepër i butë me rajonin e Katalonjës ku prej javësh vijojnë protestat për pavarësi.
“Dua të udhëheq një qeveri që nuk heziton përballë separatistëve dhe që nuk i dridhen këmbët nga krizat ekonomike dhe sociale që lë pas e majta, një qeveri që u garanton pension të moshuarve dhe inkurajon ëndrrat e të rinjve,” deklaroi konservatori Pablo Kasado.
Ultradjathtisti Santiago Abaskal e zhvendosi vëmendjen te emigracioni i parregullt dhe mosmbrojtja e kufijve nga kryeministri aktual.
Theksi u vu edhe te politikat ekonomike dhe taksimi, ku në qendër të akuzave ishte sërish kreu i qeverisë, i cili sipas rivalëve duhet të largohet që qytetarët të ruajnë vendet e tyre të punës.