Spanja zgjat kufizimet deri më 25 prill si pasojë e COVID-19
Kufizimi i popullsisë në Spanjë do të zgjatet deri më 25 prill për të frenuar përhapjen e koronavirusit, njoftoi kreu i qeverisë, Pedro Sanchez, i cili nuk përjashtoi zgjatje të tjera.
“Letargjia ekonomike, dekretuar të dielën e kaluar dhe që konsistonte në ndërprerjen për dy javë të të gjitha aktiviteteve jo thelbësore nuk do të zgjatet përtej fundjavës së Pashkëve”, shtoi socialisti.
“Këshilli i Ministrave të martën e ardhshme do të kërkojë përsëri autorizimin e Dhomës së Deputetëve për të zgjatur, për herë të dytë, gjendjen e alarmit, që ka mundësuar vendosjen e një kufizimi më të rreptë, deri të shtunën më 25 prill në mesnatë”, theksoi Sanchez në një fjalim televiziv.
Dekretuar më 14 mars, gjendja e alarmit do të merrte fund më 11 prill në mesnatë pasi ishte zgjatur për dy javë.
“Këto dy javë shtesë kufizimi janë koha për të cilën sistemi ynë shëndetësor ka nevojë për t’u rimëkëmbur”, nënvizoi Sanchez.
Spanja është vendi i dytë në botë më i prekur pas Italisë, me 11 744 të vdekur nga COVID-19, sipas një bilanci të fundit të publikuar të shtunën dhe rreth 125 000 raste të konfirmuara.