Spanjë, vazhdojnë protestat e dhunshme që kërkojnë lirimin e reperit
Pesëmbëdhjetë artistë grafiti në Barcelonë janë mbledhur për të shprehur zemërimin e tyre pas arrestimit dhe dënimit të reperit spanjoll Pablo Hasel. Barcelona ndërkohë është bërë epiqendra e protestave që nga e marta, pas burgosjes së reperit, i dënuar me nëntë muaj burg për komentet e tij në tëitter ku fyente monarkinë dhe policinë.
“Kjo mund t’i ndodhë secilit prej nesh në të ardhmen nëse e lejojmë. Për shkak se nuk ka liri të shprehjes në këtë vend, ne duhej të bënim diçka”, tha Sigrid Amores, artiste Graffiti.
“Kjo është mënyra ime për të protestuar dhe unë mendoj se të gjithë artistët duhet të përdorin artin e tyre për të protestuar. Tani është koha,” tha Roke, artist Graffiti.
Në netët që pasuan, policia dhe protestuesit u përplasën vazhdimisht në rrugët e Barcelonës ndërsa trazirat u përhapën në qytete të tjera në rajon. Më shumë se 100 vetë janë ndaluar nga policia dhe gati 82 janë plagosur në gjashtë ditët e fundit. Shumica prej të ndaluarve janë liruar nga gjykatat.
Pablo Hasel, 32-vjeçar, me gjuhë të ashpër dhe kundër udhëheqësisë, konsiderohet poet nga disa dhe i pavlerë nga të tjerët. Në sulmet ndaj monarkisë, ai e ka përshkruar ish-mbretin si “mafioz, që ka plaçkitur Mbretërinë spanjolle” ndërsa I është referuar grupit të shkatërruar terrorist bask, ETA, si “të çrrënjosur nga shteti torturues”.