Spanjë, vërshimet e ujit shkatërrojnë gjithçka që u del përpara

Një stuhi e fuqishme shiu solli shkatërrim në pjesë të ndryshme të Spanjës. Përmbytjet e mëdha që prekën disa qytete, lanë mijëra njerëz pa energji elektrike dhe detyruan mbylljen e rrugëve dhe linjave hekurudhore.

Stuhia, që u ashpërsua nga temperaturat e larta dhe lagështia, goditi rëndë veçanërisht qytetin bregdetar Alcanar në rajonin e Katalonjës.

Disa rrugë u kthyen në lumenj me rrjedha të fuqishme që morën para automjete, pemë dhe tabelat e sinjalistikës rrugore. Ekipet e emergjencës shpëtuan dhjetëra personave që kishin ngecur brenda makinave, shtëpive dhe kampingjeve.

Dëmet materiale janë tepër të mëdha pasi vërshimet e ujit morën para gjithçka që u doli përpara. Për të strehuar të evakuuarit, autoritetet spanjolle kanë ngritur qendra strehimi në arena sportive.

Fatmirësisht nuk janë raportuar viktima, por qendrat spitalore kanë marrë mbi 350 telefonata për përkujdesje shëndetësore.

SHKARKO APP