Spitali Al-Shifa kthehet në një “Varrezë”

Spitali më i madh i Gazës është bërë një zonë vdekjeje, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke njoftuar planet për të evakuuar personelin dhe civilet në objekt, pasi ushtria izraelite tha se po zgjeron operacionet për të shkatërruar Hamasin.

Vlerësimi pasoi një vizitë të OBSH-së dhe zyrtarëve të tjerë të OKB-së në spital, i cili u sulmua nga trupat izraelite në fillim të kësaj jave.

Ekipi i Kombeve të Bashkuara tha më 19 nëntor se 291 pacientë kanë mbetur në spitalin më të madh në Gazë, pasi trupat izraelite evakuuan pacientët e tjerë. Në mesin e atyre që kanë mbetur në spital janë 32 foshnje në gjendje jashtëzakonisht kritike, pacientë me plagë jashtëzakonisht të infektuara dhe ata që kanë lëndime në shtyllën kurrizore dhe nuk mund të lëvizin.
Ekipi i OKB-së ishte në gjendje të qëndronte në spitalin Shifa për një orë pasi pothuajse 2.500 persona të zhvendosur, pacientë që mund të lëviznin dhe stafi mjekësor u larguan nga ndërtesa e spitalit mëngjesin e së shtunës, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë, që udhëhoqi këtë mision. OBSH tha se 25 pjesëtarë të stafit shëndetësor janë ende në spital, së bashku me pacientët.

“Pacientët dhe stafi mjekësor, me të cilët kemi biseduar, ishin të tmerruar për sigurinë dhe shëndetin e tyre dhe na u lutën për evakuim”, tha agjencia, duke e përshkruar Shifa-n si zonë të vdekjes. Kjo agjenci tha se edhe më shumë ekipe do të tentojnë të shkojnë në Shifa në ditët në vijim, në tentim për të evakuuar pacientët në jug të Gazës, ku spitalet po ashtu janë të mbingarkuara.

Izraeli për një kohë të gjatë ka pretenduar se Hamasi, grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ka një qendër komanduese brenda dhe nën Shifa. Izraeli e ka përshkruar spitalin si objektiv kyç të luftës së tij për t’i dhënë fund sundimit të Hamasit në Gazë, pas sulmeve të grupit ekstremist në jug të Izraelit gjashtë javë më parë, sulme që nxitën luftën. Hamasi dhe stafi i spitalit mohojnë këto pretendime.

SHKARKO APP