Stoltenberg kërkon më shumë bashkëpunim midis SHBA-ve dhe Evropës
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u ka bërë thirrje aleatëve evropianë dhe Shteteve të Bashkuara që të punojnë më shumë së bashku.
Komentet e Jens Stoltenberg në Konferencën për Siguri në Mynih, vijnë pas shqetësimeve për ndarje brenda aleancës dhe kritikave nga presidenti amerikan, Donald Trump.
“Ne jemi 29 aleatë të ndryshëm, nga pjesë të ndryshme të Altantikut. Por, dallimet që kemi sot, kemi qenë në gjendje që t’i trajtojmë”, tha ai.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump vazhdimisht ka deklaruar se aleatët evropianë të NATO-s nuk po shpenzojnë sa duhet për të mbështetur aleancën. Më herët Stoltenberg deklaroi se aleanca është e përkushtuar në promovimin e vlerave demokratike dhe prosperitetit.
“Ne nuk e kemi humbur rrugën dhe vlerat tona nuk kanë humbur vlerën e tyre. Liria, demokracia dhe sundimi i ligjit kanë sjell prosperitet. Nuk besoj vetëm në Evropë, nuk besoj vetëm në Amerikë. Unë besoj në Evropën dhe Amerikën së bashku”, tha Stoltenberg.
Në ditën e parë të Konferencës në Mynih, presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier sugjeroi se Rusia dhe Kina, së bashku me SHBA-në po shkaktojnë paqëndrueshmëri globale, duke paralajmëruar në rrezikun që këto tri shtete mund të çojnë në një garë për fuqi më të madhe dhe garë për armë bërthamore.