Suedi, bandat luftojnë me armët e serbëve të Bosnjes
Bandat kriminale në Suedi luftojnë me armë të trafikuara nga Bosnje Hercegovina. Kështu shkruan e përditshmja suedeze “Aftonbladet” duke shtuar se situata është përshkallëzuar aq shumë sa kryeministri suedez, Stefan Löfven është duke shqyrtuar përdorimin e ushtrisë në luftën kundër krimit të organizuar.
Ndërkohë prokurori special i Banja Llukës, Goran Gllamoçanin, shkruan gazeta, thekson se Suedia është tregu më i madh në Evropë për trafikun ilegal të armëve nga Ballkani, dhe ekziston një grupim i mirëorganizuar i cili e cila u shet armë suedezëve. Sipas prokurorit të Republikës serbe të Bosnjes, janë qindëra porosi me qindëra armë, që janë dërguar përmes Kroacisë në Suedi.
Arrestimet në kufirin kroato-slloven
Gazetarët e “Aftonbladet” kanë filmuar në zyrën e Glamoçaninit një arsenal të armëve i cili për destinacion kishte Suedinë, por u kap në aksionin e përbashkët të policisië dhe prokurorisë së Banja Llukës. Prokurori thotë se ka filluar procedimi i 20 të dyshuarëve për kontrabandë të armëve, dhe procesi gjyqësor pritet të filloj në muajin mars.
Policia për herë të parë ka rënë në gjurmët e trafikantëve të armëve në vitin 2014, kur u ndaluan në kufirin slloven gjatë aksionit të koduar “Rekyl”, i cili u realizua me bashkëpunimin e policisë suedeze, boshnjake dhe sllovene.
Rasti i fundit është shënuar para pak kohësh, kur në kufirin në mes të Kroacisë dhe Sllovenisë u kap 29 vjeçari nga Banja Lluka, në valixhet e të cilit policia gjeti 36 bomba dore, tre kallashnikov, shtatë pistoleta, qindëra fishek, minë antikombësorie dhe një predhë. I akuzuari udhëtonte rregullisht për në Suedi, ku jeton dhe punon në Göteborg. Pritësi i kësaj porosie ishte një 29 vjeçar i cili jeton në Göteborg dhe Malmö dhe për policinë është person i mirënjohur i cili dyshohet edhe për një vrasje, shkruan “Aftonbladet”.
I gjithë ky trafik i armëve nga Republika Serbe e Bosnjes po zhvillohet drejtë luftës së bandave kriminale në Suedi, ku vetëm në fillim të këtij viti janë vrarë katër persona. Raporti i policisë suedeze i cili u publikua në muajin dhjetor, zbulon se gjatë vitit 2017 ishin shënuar 307 incidente të armatosura, me 41 raste të vrasjeve.
Pas vrasjes makabre në fundjavën e kaluar në Malmöu, ku u godit në kokë i riu 21-vjeçar, opozita suedeze kërkoj që edhe ushtria të përfshihet në luftën kundër kriminelëve. “Përfshirja e ushtrisë nuk është opsioni i parë, por jam i gatshëm të bëjë gjithçka që është e domosdoshme për të çrënjosur krimin e organizuar. Më e rëndësishmë është, që këtyre grupeve të organizuara kriminale t’u çojmë një mesazh të qartë, se për ta në vendin tonë nuk ka vend”, tha në reagimin e tij kryeministri suedez, Stefan Löfven, duke paralajmëruar masa më të rrepta ligjore, dhe duke mos e përjashtuar ndërhyrjen e ushtrisë./A.P./
KOHA JONË SONDAZH

