Suedia, gati miratimin e vaksinës “AstraZeneca” për të gjithë personat mbi 18 vjeç
Suedia njoftoi sot se do të lejojë vaksinën antiCOVID-19 të zhvilluar nga kompania farmaceutike “AstraZeneca” për të gjithë personat e moshës 18 vjeç e lart, duke cituar të dhëna të reja.
Muajin e kaluar, Agjencia suedeze e Shëndetit Publik tha se nuk do ta miratonte vaksinën për 65-vjeçarët e lart, duke përmendur të dhëna të pamjaftueshme nga kompania britanike-suedeze në lidhje me efikasitetin e vaksinës për këtë grupmoshë.
Disa vende të tjera kanë miratuar një qëndrim të ngjashëm.
“Tre studime të mëdha britanike sugjerojnë se vaksina e “AstraZeneca” ka një efekt të mirë mbrojtës edhe për personat e moshës 80 vjeç e lart dhe se efekti mbrojtës është i njëjtë me vaksinat e tjera të miratuara”, sqaroi agjencia në lidhje me vendimin e ri.
“Të gjitha vaksinat e ofruara janë shumë efikase dhe sipas studimeve kanë një efekt të mirë mbrojtës për të gjithë mbi 18 vjet”, tha shefi i epidemiologjisë Anders Tegnell në një koment.
Suedia ka miratuar tashmë dy vaksina të tjera, atë të zhvilluar nga kompani amerikano-gjermane “Pfizer/BioNTech” dhe një tjetër nga firma amerikane “Moderna”.