Sulm në një shkollë fillore, humb jetën një fëmijë
Një 7-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një sulmi me thikë në shkollë fillore “Preçko” në Zagreb më 20 dhjetor. Në sulm është plagosur rëndë dhe një mësuese, e cila është në rrezik për jetën. I dyshuari për kryerjen e sulmit është një djalë 19-vjeçar dhe është nën mbikëqyrjen e policisë, kanë bërë të ditur zyrtarët.
Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së spitalit “Klaiçeva”, Iva Hojsak, tha se në spitalin e tyre janë sjellë dy djem, njëri 11 dhe tjetri 7 vjeç, me plagë të shumta të shkaktuara nga thika, por për fat të mirë të dy janë jashtë rrezikut për jetën.
Video-pamjet e publikuara nga mediat kroate tregojnë fëmijët duke vrapuar jashtë ndërtesës së shkollës, shkruan AP-ja.Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, deklaroi se e gjithë Qeveria dhe publiku kroat janë të tronditur nga tragjedia që ndodhi në Zagreb.
“Policia dhe të gjitha shërbimet e tjera, po përpiqen të përcaktojnë saktësisht se çfarë ka ndodhur në këtë incident të madh”, tha Plenkoviq gjatë hapjes së mbledhjes së Qeverisë./REL/