Sulmet ajrore amerikane mbi Siri/ Kreu i OKB bën thirrje për përmbajtje
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka bërë thirrje për përmbajtje duke nxitur palët për zgjidhje politike ndaj këtij problemi. Ndër të tjera Guterres shprehet:
Unë po e ndjek nga afër dhe me shqetësim të madh situatën në Siri. Sulmi i neveritshëm me armë kimike në Khan Shaykhun, solli në Siri vdekjen dhe plagosjen e shumë civilëve të pafajshëm. Unë kam deklaruar prej kohësh se duhet të ketë llogaridhënie për krime të tilla, në përputhje me normat ekzistuese ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit. Unë jam duke ndjekur raportet e sulmeve ajrore kundër bazës ajrore Shayrat në Siri të kryera nga Shtetet e Bashkuara.
I ndërgjegjshëm për rrezikun e përshkallëzimit, bëj thirrje për përmbajtje, për të shmangur çdo akt që mund të thellojnë vuajtjet e popullit sirian” deklaroi Guterres. Sipas kreut te OKB-se, këto ngjarje nënvizojnë besimin tim se nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të zgjidhur konfliktin sesa përmes një zgjidhje politike. “U bëj thirrje palëve që urgjentisht të rinovojnë angazhimin e tyre për të bërë përparim në bisedimet e Gjenevës. Një zgjidhje politike mbetet gjithashtu thelbësore për përparimin në luftën kundër terrorizmit. Këshilli i Sigurimit ka përgjegjësinë kryesore për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
I bëj thirrje Këshillit, të bashkohen dhe të ushtrojnë këtë përgjegjësi. Për një kohë të gjatë, e drejta ndërkombëtare ka qenë i injoruar në konfliktin sirian, dhe kjo është detyra jonë e përbashkët për respektimin e standardeve ndërkombëtare të njerëzimit. Ky është një parakusht për t’i dhënë fund vuajtjeve të pamëshirshme të popullit të Sirisë” deklaroi Guterres.
/Nga: Mira Bregu, OKB, Gjenevë
KOHA JONË SONDAZH

