Sulmi në Kapitol, a do të ndiqet penalisht Trump?
Pas 18 muajsh hetimesh, komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve do të japë sot vendimin nëse nëse Donald Trump do të ndiqet penalisht. Anëtarët e Kongresit Amerikan, që përbëhen prej shtatë demokratësh dhe dy republikanësh do të mbajnë një seancë publike në orën 13:00 me orën lokale për të dhënë vendimin.
Mbështetësit e presidentit në largim Donald Trump sulmuan Kapitol, duke shkaktuar një valë të madhe tronditëse në SHBA dhe në pjesën tjetër të botës.
Anëtarët e komitetit do të vendosin gjithashtu nëse do të rekomandojnë apo jo që Departamenti i Drejtësisë të ngrejë akuza penale kundër Donald Trump për rebelim, pengim të një procesi zyrtar dhe komplot kundër shtetit amerikan.
Bëhet fjalë për tre akuza, për të cilat Trump mund të dënohet me burg, në një kohë kur Donald Trump ka njoftuar se do të jetë pjesë e garës për Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e 2024-ës.
Rezultati përfundimtar do të shpallet më 21 dhjetor. Vota e komitetit është kryesisht simbolike sepse anëtarët e tij nuk mund të ngrenë vetë akuza penale kundër Trump.
Kjo është përgjegjësi e Departamentit të Drejtësisë, i cili ka emëruar një prokuror special për të hetuar në mënyrë të pavarur rastin e Donald Trump dhe për të vendosur nëse do ta ndjekë penalisht ose jo ish-presidentin.
“Unë besoj se Donald Trump ka kryer vepra penale në përpjekjet e tij për të përmbysur zgjedhjet presidenciale”, tha për CNN demokrati, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve dhe anëtar i komisionit hetimor Adam Schiff.
“Por unë mund të them se presidenti ka shkelur shumë ligje penale. Dhe besoj se ai duhet të trajtohet si çdo amerikan tjetër që ka shkelur ligjin, pra të ndiqet penalisht” , përfundoi ai.