Sunak del para deputetëve britanikë: Raketa mbi spitalin në Gaza ishte nga Hamasi
“Shpërthimi në spitalin e Gazës që shkaktoi mbi 470 viktima, me shumë mundësi u shkaktua nga një raketë e hedhur nga Hamasi”, tha kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak.
Ai doli përpara deputetëve britanikë, pas vizitës së tij në Lindjen e Mesme, për shkak të konfliktit të armatosur mes Izraelit dhe Hamasit. Gjatë fjalës së tij, Sunak gjithashtu kërkoi më shumë ndihma për civilët në Gaza, të cilët ndodhen në një situatë të vështirë.
“Të gjithë ne e mirëpresim hapjen e kufizuar të kalimit në Rafah. Është përparim i rëndësishëm dhe dëshmi e fuqisë së diplomacisë, por nuk mjafton. Ne kemi dhënë tashmë 10 milionë paund mbështetje shtesë për të ndihmuar civilët në Gaza.
Sot mund të njoftoj se po shkojmë më tej. Ne jemi duke ofruar 20 milionë paund shtesë ndihmë humanitare për civilët në Gaza, duke dyfishuar mbështetjen tonë të mëparshme për popullin palestinez”, tha Sunak.