Sunak largohet nga Downing Street, do të dorëhiqet edhe si lider i konservatorëve
Konservatorët kanë humbur thellë zgjedhjet e përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar, duke mundësuar ardhjen në pushtet të laburistëve pas 14 vitesh. Rishi Sunak mbajti fjalimin e fundit dhe është larguar nga selia e qeverisë në 10 Downing Street për të takuar formalisht Mbretin Charles III dhe për të dorëzuar detyrën.
Ai do të japë dorëheqjen edhe si lider i Partisë Konservatore, por jo menjëherë, duke lejuar që fillimisht të nisë procesi për zgjedhjen e pasuesit. “E kam dëgjuar zemërimin tuaj,” tha ai në deklaratën e fundit jashtë Downing Street, duke iu referuar rezultatit dërrmues për konservatorët.
Sunak u kërkoi ndjesë qytetarëve, por edhe kandidatëve konservatorë, që kanë humbur mandatet në mbarë vendin. Sunak deklaroi se “një nga gjërat më të jashtëzakonshme” në Mbretërinë e Bashkuar, është “se sa e pazakontë” është që ai u bë kryeministër pas dy brezave, që kur gjyshërit e tij emigruan në këtë vend.
Sir Keir Starmer do të bëhet kryeministri i ri, pasi të takohet me Mbretin. Pavarësisht toneve në fushatë, Sunak e përshkroi kryeministrin e ri, si një “njeri të denjë dhe të përkushtuar për publikun’ të cilin e respekton.
Rezultati i zgjedhjeve
Partia Laburiste ka fituar thellë zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar, duke marrë pushtetin pas 14 viteve në opozitë. Sir Keir Starmer do të jetë kryeministri i ri i vendit. Liderë nga mbarë bota kanë nisur ta urojnë për detyrën. Laburistët do të formojnë qeverinë e ardhshme, me një shumicë prej 211 ulësesh, në total 412 ulëse në Parlament.
Sunak u tha mbështetësve: “Populli britanik ka dhënë një verdikt të rëndë sonte, ka shumë për të mësuar… dhe unë marr përgjegjësinë për humbjen.” Konservatorët kanë marrë rezultatin më të keq në historinë e tyre. Ata kanë humbur më shumë se 250 mandate dhe do të mbeten me vetëm 121 deputetë.
Kryeministri i ri, nuk e fshehu entuziasmin. Sir Keir tha “ndryshimi fillon tani”, duke shtuar “ndihem mirë, duhet të jem i sinqertë” dhe “vendi po zgjohet me rrezet e shpresës”. Lideri i forcës populiste, Reform UK, Nigel Farage fitoi një vend në Parlament në përpjekjen e tij të tetë, në Clacton, duke premtuar “ky është vetëm hapi i parë i diçkaje që do t’ju trondisë të gjithëve”. Reform UK ka katër deputetë deri tani dhe ka gërryer kryesisht Partinë Konservatore.
Po kështu një rezultat pozitiv duket edhe për Liberal Demokratët, që mbërrijnë në kuotat e 71 deputetëve. Partia Kombëtare Skoceze ka patur një rezultat zhgënjyes. Deri tani parashikohet të reduktohet në vetëm nëntë deputetë, ndërsa Laburistët rimarrin dominimin në Skoci. Disa figura qëndrore të konservatorëve kanë humbur mandatin, përfshirë ish Kryeministren Liz Truss, Sekretarin e Mbrojtjes, Grant Shapps dhe lideren e Commons, Penny Mordaunt.
Ish-lideri i Laburistëve, Jeremy Corbyn, ka mposhtur partinë e tij të vjetër për të ruajtur mandatin e tij në Islington North si kandidat i pavarur.