Tajvani: Kina merr shembull nga lufta në Ukrianë për të bërë luftë hibride me ne
Kina po vëzhgon luftën në Ukrainë për të zhvilluar strategji të “luftës hibride” kundër Tajvanit, duke përfshirë përdorimin e dronëve dhe presionin psikologjik, pohoi sot një zyrtar i lartë i sigurisë tajvaneze.
Tajvani ka studiuar me kujdes mësimet e luftës së Ukrainës për të informuar se si mund të reagojë nëse Kina – e cila e sheh ishullin e sunduar në mënyrë demokratike si territorin e saj – kërcënon ndonjëherë të përdorë forcën për të zbatuar pretendimin e saj për sovranitet.
Në gusht, Kina organizoi stërvitje ushtarake rreth Tajvanit për të shprehur zemërimin për një vizitë në Taipei nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi dhe ajo ka mbajtur aktivitetet e saj ushtarake që atëherë, megjithëse me një ritëm të zvogëluar.
Duke folur në parlament, drejtori i përgjithshëm i Byrosë së Sigurisë Kombëtare të Tajvanit, Chen Ming-tong tha se edhe Kina po i kushtonte vëmendje asaj që po ndodhte në Ukrainë.
“Këtë vit, ushtria komuniste ka huazuar nga përvoja e luftës Rusi-Ukrainë për të zhvilluar ‘luftë hibride’ kundër Tajvanit dhe për të forcuar stërvitjen dhe përgatitjen e saj luftarake kundër armiqve të fortë“, tha ai.
Kina zgjeroi “zonën gri” dhe aktivitetet e saj hibride kundër Tajvanit pas stërvitjeve të gushtit, veçanërisht me përdorimin e dronëve që kanë fluturuar pranë ishujve të kontrolluar nga Tajvani në brigjet e Kinës dhe në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të Tajvanit, tha Chen.