Takimi Biden-Putin, analistët: U bë për qëllime politike
Joe Biden u bë presidenti i pestë amerikan që takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe analistët po masin tani suksesin e takimit. Sipas Jon Sopel të BBC-së, Biden mund të konsiderojë sukses përfshirjen në bisedime të hollësishme në lidhje me çështjet më të nxehta.
Sopel mendon se Biden, sidomos për audiencën e brendshme, donte të jepte shembullin se ”Amerika është kthyer” dhe se ai nuk është “Donald Trump”. Mbetet e paqartë për gazetarët dhe analistët sesi do ta zbatojë Biden zotimin që bëri ndërsa kthehej për në avionin presidencial Air Force One.
Sipas analistit Peter Baker të ”New York Times”, vendimi i Joe Biden për të takuar presidentin Putin, shënon një shkëputje nga qasja e presidentëve të mëparshëm. Në vitin 2014 pasi Rusia pushtoi Ukrainën, presidenti Obama me ndihmën e Biden si zv/president, u përpoq ta izolonte Putinin, duke e përjashtua nga G8. Qëllimi sipas Peter Baker nuk është përmirësimi i lidhjeve dypalëshe, por ndalimi i përkeqësimit të tyre.