Të dhënat e 50 milionë përdoruesve të Facebook u përdorën në zgjedhje
Këshilltarët e Trump shfrytëzuan të dhënat e Facebook për 50 milionë përdorues
Nga MATTHEW ROSENBERG, NICHOLAS CONFESSORE dhe CAROLE CADWALLADR, New York Times
LONDËR —Teksa përpiqej të çante tregun mes zgjedhjeve amerikane të mesmandatit, në vitin 2014, kompania e sapohapur për profilizimin e votuesve, “Cambridge Analytica”, u ndesh me një problem.
Firma kishte marrë 15 milionë dollarë investime nga Robert Mercer, donatori i pasur republikan, i cili kishte bindur këshilltarin e tij politik, Stephen K. Bannon, me premtimin se kompania do t’i ofronte mjete që mund të identifikonin karakterin e votuesve amerikanë, duke ndikuar kështu sjelljen e tyre në votime. Por nuk i kishte ende të dhënat për ta vënë produktin e ri në punë.
Kështu, firma mblodhi informacione private nga më shumë se 50 milionë përdorues të Facebook, pa lejen e tyre, sipas punonjësit të Cambridge, sipas bashkëpunëtorëve të tij dhe dokumenteve të tjera. Kjo e ktheu në rrjedhjen më të madhe të informacionit në gjithë historinë e rrjeteve shoqërore. Një rrjedhje që i dha kompanisë mundësinë të shfrytëzojë veprimtarinë në rrjete shoqërore të një pjese të madhe të votuesve amerikanë, duke zhvilluar teknika që u përforcuan gjatë fushatës së Trump-it, në vitin 2016.
Një analizë e kryer nga “New York Times” dhe “The Observer of London”, tregon se aftësia e “Cambridge Analytica” për të futur një armë të re në treg, e vendosi firmën – dhe investuesit e pasur konservatorë, të cilët donin të ndryshonin politikën – nën vëzhgimin e hetuesve dhe ligjvënësve në Amerikë dhe Britani.
Foto: Si Kongresi, ashtu dhe Parlamenti Britanik, kanë marrë në pyetje Alexander Nix, drejtorin ekzekutiv të “Cambridge Analytica”, në lidhje me veprimtarinë e firmës. Credit Bryan Bedder/Getty Images
Christopher Wylie, i cili ndihmoi me themelimin e Cambridge e madje punoi atje deri në fund të vitit 2014, dha këtë përshkrim për drejtuesit e kompanisë: “Për ata nuk kanë rëndësi rregullat. Për ata kjo është luftë, dhe në luftë gjithçka është e drejtë”.
“Duan të nisin një luftë kulturore në Amerikë”, shtoi ai. “‘Cambridge Analytica’ duhej të ishte arsenali i armëve për këtë luftë kulturore”.
Detajet për të dhënat e Facebook që janë blerë dhe përdorur nga “Cambridge” kanë dalë disa herë në sipërfaqe, qëkur kompania nisi të punonte për fushatën e vitit 2016, duke ndezur një debat të ashpër për teknikat e kompanisë, të ashtuquajturat “modelime psikografike”.
Por përmasa e vërtetë e të dhënave personale që kanë rrjedhur nuk ishte bërë kurrë publik, dhe Facebook nuk e kishte pranuar, deri më sot. Marrjet në pyetje të rreth gjashtë ish punonjësve dhe kontraktorëve, si dhe kontrolli i dokumenteve dhe e-mail-eve të kompanisë, kanë treguar se Cambridge jo vetëm që e bazonte gjithë punën tek të dhënat private të Facebook, por vazhdonte të zotëronte shumicën e tyre, në mos të gjitha.
Cambridge kishte paguar një kërkues të jashtëm për mbledhjen e të dhënave, të cilët, sipas Facebook, kishin deklaruar se po e bënin për arsye akademike.
Gjatë një jave hetimesh të kryera nga “The Times”, Facebook u përpoq ta ulë rëndësinë e rrjedhjes së informacionit, dhe nuk besonte se të dhënat ishin ende jashtë kontrolli. Por të premten kompania postoi një deklaratë duke shprehur alarm e duke premtuar të marrë masa.
“Bëhet fjalë për një skemë mashtrimi”, shprehu Paul Grewal, zv/President dhe zv/Këshilltar i Përgjithshëm i rrjetit shoqëror, në një deklaratë për “The Times”. Ai tha se kompania po e pezullonte Cambridge Analytca-n, Z.Wylie-n dhe kërkuesin, Aleksandr Kogan, një akademik Ruso-Amerikan, nga Facebook. “Do të marrim të gjitha masat e nevojshme që të dhënat në fjalë të fshihen një herë e mirë, si dhe do të veprojmë kundër palëve që kanë kryer shkelje”, tha z.Grewal.
Gjatë një seance dëgjimore në parlament, Alexander Nix, drejtori ekzekutiv i “Cambridge Analytica” si dhe zyrtarë të tjerë, kishin mohuar disa herë se kishin marrë apo përdorur të dhëna nga Facebook. Por në një deklaratë për “The Times”, kompania pranoi se i kishte blerë të dhënat, por fajësuan z.Kogan për shkeljen e rregullave të Facebook. Ata thanë se e fshinë informacionin sapo mësuan për problemin, që dy vite më parë.
Në Britani, “Cambridge Analytica” i është nënshtruara hetimeve që po kryhen njëkohësisht nga Parlamenti dhe nga qeveria, me dyshimet se kanë shkelur ligje gjatë fushatës për “Brexit”. Në Britani ekzistojnë ligje shumë të rrepta për privatësinë, dhe komisionerja e informacionit tha të shtunën se po hetonin nëse të dhënat e Facebook ishin blerë e përdorur në mënyrë të paligjshme.
Në SHBA, vajza e z.Mercer, Rebekah, anëtare e bordit; z.Bannon dhe z.Nix, u paralajmëruan nga avokati i tyre se ishte e jashtëligjshme të punësonin të huaj gjatë fushatave politike, kjo sipas dokumenteve të kompanisë dhe disa ish punonjësve.
Donatori konservator, Robert Mercer, investoi 15 milionë dollarë në “Cambridge Analytica”, ku vajza e tij, Rebekah, është anëtare bordi. Credit: Patrick
Hetuesit e kongresit kanë marrë në pyetje z.Nix për rolin e kompanisë në fushatën e Trump-it. Këshilltari i Posaçëm i Departamentit të Drejtësisë, Robert s. Mueller III, ka kërkuar e-mail-et e punonjësve të “Cambridge Analytica” që kanë punuar për ekipin e Trump-it, në kuadër të hetimeve që ai po drejton për të verifikuar ndërhyrjet ruse në zgjedhjet amerikane.
Ndërsa thelbi i interesave te z.Mueller ruhet me fshehtësi të madhe, dokumentet e para nga “The Times” tregojnë se filiali britanik i kompanisë ka deklaruar se kanë punuar në Rusi dhe Ukrainë. Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, tregoi se z.Nix e kishte kontaktuar gjatë fushatës me shpresën se do të merrte e-mail-e private të kundërshtares politike, Hillary Clinton, kandidate e Partisë Demokratike.
Dokumentet ngrenë pyetje të reja për Facebook, i cili po kritikohet shumë për përhapjen e lajmeve të rreme dhe propagandës ruse. Të dhënat që ka mbledhur Cambridge nga profilet, një pjesë e të cilave janë parë nga “The Times”, kishin informacion për identitetin e përdoruesve, për miqtë e tyre dhe faqet që pëlqenin. Vetëm një pjesë shumë e vogël e këtyre përdoruesve kishte pranuar që informacioni i tyre t’u jepej palëve të treta.
“Mbrojtja e informacionit të njerëzve është thelbi i gjithçkaje që bëjmë ne”, tha Grewal. “Nuk është depërtuar në asnjë sistem, nuk janë vjedhur e nuk janë hakuar fjalëkalime apo informacione të ndjeshme”.
“Megjithatë,” shtoi ai, “është shkelje serioze e rregullave tona.”
Leximi i mendjes së votuesve
Z.Wylie kujton gjatë një interviste se verërat “Bordeaux” po rridhnin lumë teksa z.Nix the kolegë të tjerë po darkonin në Hotelin Palace, Manhatan, në fund të vitit 2013. Kishin shumë për të festuar.
Z.Nix, me aftësinë e një shitësi të vrullshëm, kishte drejtuar njësinë e vogël zgjedhore të Grupit SLC, një kompani kontraktuese për çështje politike dhe mbrojtjeje. Gjatë gjithë atij viti ai ishte përpjekur të futej në botën e re dhe fitimprurëse të të dhënave politike, duke rekrutuar z.Wylie, një punonjës 24-vjeçar që kishte lidhje me veteranët e fushatës së presidentit Obama. Z.Wylie kishte interes të përdorte tiparet psikologjike të votuesve për të ndikuar sjelljen e tyre. Ai kishte mbledhur një ekip psikologësh dhe shkencëtarësh për mbledhjen e të dhënave, disa prej të cilëve kishin lidhje me Universitetin “Cambridge”.
Grupi kishte bërë eksperimente jashtë vendit, në ishujt Karaibe dhe Afrikë, kur ligjet e privatësisë janë të dobëta ose jo-ekzistente, dhe ku politikanët që e kishin punësuar SCL-n i jepnin të dhëna private qeveritare pa asnjë problem.
Më pas, z.Nix u takua rastësisht me z.Bannon, një anëtar i zellshëm i lajmeve “Breitbart”, që më pas u bë këshilltar i presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë. Ai u takua edhe me z.Mercer, një nga personat më të pasur në botë.
Z.Nix dhe kolegët e tij iu vardisën z.Mercer, i cili besonte se një kompani e sofistikuar për mbledhjen e të dhënave mund ta bënte vendimtar për fitoren e republikanëve, bashkë me vajzën e tij, Rebekah, e cila ndante të njëjtat pikëpamje konservatore. Z.Bannon u josh nga mundësia për të përdorur profile personale të njerëzve për të ndryshuar kulturën amerikane dhe për të rinovuar sistemin politik, siç thonë z.Wylie dhe ish punonjës të tjerë të kompanisë, të cilët folën anonimisht për shkak se kishin nënshkruar kontrata mirëbesimi. Z.Bannon dhe Mercer-ët refuzuan të komentojnë.
Z.Mercer pranoi të ndihmojë me financimin e një projekti pilot prej 1.5 milionë dollarësh, që do t’u bënte votuesve një sondazh e do të testonte mesazhet psikografike gjatë zgjedhjeve të Virxhinias për guvernatorë, në Nëntor të vitit 2013. Në këto zgjedhje, Prokurori i Përgjithshëm republikan, Ken Cuccinelly, po kandidonte kundër Terry McAuliffe, një mbledhës fondesh për Demokratët. Edhe pse Z.Cuccinelli humbi, z.Mercer u angazhua të vazhdojë.
Mercer-ët donin t’i shihnin rezultatet shpejt dhe të kishin më shumë kërkesa për biznes. Në fillim të vitit 2014, investuesi Toby Neugebauer dhe konservatorë të tjerë të pasur, po përgatiteshin të jepnin dhjetëra miliona dollarë për fushatën presidenciale të Senatorit Ted Cruz, nga Teksasi, një punë që z.Nix donte ta fitonte patjetër.
Kur kolegët e z.Wylie nuk arritën të krijojnë një memo që do t’i shpjegonte z.Neugebauer punën që bënin, z.Nix i qortoi ashpër në e-mail.
“JANË VETËM 2 FAQE!! E shumta katër orë punë, ose nga një orë secila. Çfarë keni bërë që të gjithë??” shkruante ai.
Ekipi i z.Wylie kishte një problem më të madh. Krijimi i profileve psikografike në shkallë kombëtare kërkonte të dhëna që kompania nuk i mblidhte dot pa shpenzuar shumë. Kompanitë tradicionale analitike përdornin regjistrime votimesh dhe historikun e gjërave që njerëzit kishin blerë, për të parashikuar animin e tyre politik dhe se për kë do të votonin.
Por këto të dhëna nuk tregonin nëse një votues specifik, bie fjala, ishte një njeri i mbyllur dhe nevrik; njeri i hapur e tepër fetar; liberal i baraslarguar; adhurues i mistereve, etj. Këto përshkrime psikologjike, sipas firmës, krijonin një mënyrë tepër të fuqishme për të modeluar mesazhet specifike politike.
Aleksandr Kogan, akademiku Ruso-Amerikan, krijoi një aplikacion që e ndihmoi firmën të mbledhë të dhëna nga Facebook.
Z.Wylie gjeti një zgjidhje te Qendra Psikometrike e Universitetit Cambridge. Kërkuesit atje kishin zhvilluar një teknikë që hartonte tiparet e karakterit të personave duke u bazuar në faqet që ata pëlqenin në Facebook. Kërkuesit u jepnin shuma të vogla përdoruesve për të bërë një testim e për të shkarkuar një aplikacion, i cili merrte informacione private nga profilet e tyre dhe nga miqtë që kishin, një veprimtari që Facebook e lejonte në atë kohë. Kjo mënyrë, sipas shkencëtarëve, mund të tregonte më shumë rreth atij personi sesa po të pyesje prindërit e tij, apo partnerët romantikë – një pretendim që është debatuar.
Kur Qendra Psikometrike refuzoi të punojë me kompaninë, z.Wylie gjeti dikë tjetër që mund ta bënte: Dr.Kogan, i cili në atë kohë ishte profesor psikologjie në universitet, dhe ishte në dijeni të teknikave. Dr.Kogan krijoi aplikacionin në Qershor të vitit 2014, dhe nisi të mbledhë të dhëna për “Cambridge Analytica”. Biznesi mbulonte kostot – më shumë se 800,000 – dhe i jepte mundësinë të mbante një kopje të kërkimit, siç është verifikuar nga të dhënat financiare dhe e-mail-et e kompanisë.
Siç vinte në dijeni Facebook-un dhe përdoruesit (te paragrafi me shkronja të imëta), informacioni po mblidhej për arsye akademike, thotë rrjeti shoqëror. Facebook nuk e verifikoi këtë deklarim. Dr.Kogan refuzoi të jepte detaje për atë që ndodhi, duke përmendur një marrëveshje mirëbesimi midis Facebook-ut dhe “Cambridge Analytica”, edhe këmbëngulte se programi i tij ishte një aplikacion shumë i zakonshëm.
Ai arriti t’i japë kompanisë 50 milionë profile Facebook-u, sipas z.Wylie, një numër që vërtetohet nga një e-mail i kompanisë dhe nga një ish-koleg. 30 milionë prej tyre, një numër i raportuar edhe nga “The Intercept”, përmbanin aq informacion, përfshirë vendbanimet, sa kompania mund t’i përputhte me përdorues të tjerë dhe të ndërtonte profilet psikografike. Vetëm 270,000 prej këtyre përdoruesve kishin pranuar që t’u merreshin të dhënat, ata që kishin qenë pjesë e sondazhit.
Një e-mail i dr.Kogan, drejtuar z.Wylie, ku përshkruhen karakteret që mund të parashikoheshin për përdoruesit e Facebook.
Z.Wylie tha se të dhënat e Facebook ishin ajo që i shpëtoi, që i mundësoi ekipit të tij t’u jepnin Mercer-ëve modelet e premtuara.
“Donim të merrnim sa më shumë”, pranoi ai. “Nuk po pyesnim se nga vinin e se kush na dha leje t’i merrnim”.
Z.Nix tregon një histori ndryshe. Kur u paraqit te komisioni parlamentar, muajin e shkuar, ai e përshkroi kontributin e dr.Kogan-it si të padobishëm.
Përpjekje ndërkombëtare
Pikërisht kur dr.Kogan po ofronte përpjekjet e tij, z.Mercer pranoi të investojë 15 milionë dollarë në një sipërmarrje të përbashkët me departamentin zgjedhor të SCL. Ortakët krijuan një strukturë korporate të ndërlikuar, duke formuar një kompani të re amerikane, pothuajse të gjithën nën pronësi të z.Mercer, me licencë për platformën psikografike të zhvilluar nga ekipi i z.Wylie, sipas dokumenteve të kompanisë. Z.Bannon, i cili u bë investues dhe anëtar bordi, zgjodhi emrin: “Cambridge Analytica”.
Ishte praktikisht kompani “guaskë”. Sipas dokumenteve e sipas disa prej punonjësve të mëparshëm, kontratat e fituara nga Cambridge, fillimisht e inkorporuar në Dellauer, do të trajtoheshin nga SCL me bazë në Londër, dhe do të mbikëqyreshin nga z.Nix, një nënshtetas britanik që ishte emëruar njëkohësisht edhe te “Cambridge Analytica”, edhe te SCL. Shumica e punonjësve dhe kontraktorëve të SCL ishin kanadezë, si z.Wylie, ose europianë.
Por në Korrik të vitit 2014, Laurence Levy, një avokat amerikan për zgjedhjet, i caktuar si këshilltar për kompaninë, i vuri në dijeni se këto emërime mund të shkelnin ligjet që kufizojnë përfshirjen e personave të huaj në zgjedhjet amerikane.
Në një memo për z.Bannon, znjsh.Mercer dhe z.Nix, avokati, që në atë kohë punonte për Bracewell&Gioliani, paralajmëroi se z.Nix do të duhej të mbante vetë përgjegjësi për “menaxhimin e pavarur” të ndonjë klienti të përfshirë në zgjedhjet amerikane. Kompania e të dhënave duhej të gjente nënshtetas amerikanë ose persona me “Green Card”, siç shkruan z. Levy, “për të menaxhuar punën dhe për të mbuluar rolet vendimmarrëse, në lidhje me dërgesat dhe mesazhet e kompanisë”.
Në verë dhe në vjeshtë të vitit 2014, “Cambridge Analytica” u fut në zgjedhjet amerikane të mesmandatit, duke angazhuar kontraktorët e SCL dhe duke punësuar njerëz në të gjithë vendin. Pak amerikanë u përfshinë, në një punë që kishte të bënte me sondazhe, grupe fokusi dhe krijime mesazhesh zgjedhore për John Bolton Super PAC; për grupe konservatore në Kolorado dhe për fushatën e Senatorit Thom Tillis, një republikan nga Karolina e Veriut.
“Cambridge Analytica” thotë në deklaratën për “The Times” se “personeli i angazhuar në rolet strategjike ishte me nënshtetësi amerikane ose me Green Card”. Z.Nix “nuk ka pasur kurrë rol strategjik apo vendimmarrës në fushatën zgjedhore amerikane”, thotë kompania.
Nëse veprimet e kompanisë në Amerikë shkelnin apo jo ligjet zgjedhore, kjo varej nga roli i punonjësve të huaj në fushatë, dhe nëse puna e tyre quhej si këshillim strategjik, sipas rregullave të Komisionit Federal të Zgjedhjeve.
“Cambridge Analytica” ka shfaqur sjellje të ngjashme dhe në zgjedhjet e vitit 2016, kur ka punuar për fushatat e z.Cruz dhe të z.Trump. Ndonëse Cambridge punësoi më shumë amerikanë për zgjedhjet e atij viti, shumica e shkencëtarëve që merreshin me të dhënat ishin nga Mbretëria e Bashkuar ose nga vende të tjera europiane, sipas dy ish-punonjësve.
Nën drejtimin e Brad Parscale, drejtori dixhital i z.Trump në vitin 2016, dhe tani menaxher i fushatës së tij për rikandidimin e vitit 2020, Cambridge ka kryer shumë shërbime, siç thonë ish zyrtarë të fushatës. Kjo përfshin edhe përzgjedhjen e publikut që do të merrnin reklama dixhitale; thirrjet për mbledhje fondesh; modelimin e pjesëmarrjes në zgjedhje; pagesa e 5 milionë dollarëve në reklama televizive dhe përcaktimi se ku duhej të udhëtonte z.Trump për të marrë më shumë mbështetje.
Këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë, Stephen K. Bannon dhe Kellyeanne Conway me znjsh.Mercer në ceremoninë e përurimit, 2017. Kompania ndihmoi presidentin Trump të seleksionojë votues për reklamat.
Drejtuesit e Cambridge kanë dhënë versione të ndryshme për sa i përket përdorimit të të dhënave psikografike në fushatë. Z.Nix ka thënë se profilet e kompanisë e ndihmuan z.Trump të ndërtojë strategjinë – deklarata që janë kundërshtuar nga zyrtarë të tjerë – por gjithashtu tha se Cambridge nuk kishte kohë të mjaftueshme për t’i ndikuar votuesit e Trump-it.
Në një intervistë për BBC, në dhjetor të vitit të shkuar, z.Nix tha se përpjekjet e Trump-it tërhoqën psikografika të trashëguara, që ishin krijuar për fushatën e z.Cruz.
Pas rrjedhjes së të dhënave
Në fillim të vitit 2015, z.Wylie dhe më shumë se gjysma e anëtarëve fillestarë të kompanisë, rreth gjashtë veta, ishin larguar nga kompania. Shumica ishin me prirje liberale dhe nuk kishin pasur dëshirë të punonin për kandidatët e ashpër të së djathtës që po mbështeste familja Mercer.
“Cambridge Analytica” tha në një deklaratë se z.Wylie ishte larguar për të nisur një firmë rivale, dhe se kishin ndërmarrë masa ligjore kundër tij, për të vënë në zbatim të drejtat e pronës intelektuale. Ata i përshkruanin z.Wylie dhe ish kontraktorët e tjerë si persona që po angazhoheshin në veprime dashakeqe në dëm të kompanisë.
Rreth fundit të atij viti, një artikull në “The Guardian” zbuloi se “Cambridge Analytica” po përdorte të dhëna private nga Facebook për fushatën e Cruz, duke regjistruar veprimet që bëheshin nga përdoruesit në Facebook. Në një deklaratë të dhënë në atë kohë, Facebook garantoi që po e hetonte rastin në fjalë me shumë kujdes, dhe se çdo kompanie që i keqpërdorte të dhënat, do t’u bënin kërkesë që t’i fshinin.
Facebook e verifikoi rrjedhjen e informacionit, dhe pa e pranuar publikisht, mori masa për të siguruar informacionin. Këto përpjekje vazhduan deri në Gusht të vitit 2016. Atë muaj, avokatët e rrjetit shoqëror u lidhën me kontraktuesit e “Cambridge Analytica”. “Këto të dhëna janë marrë dhe janë përdorur pa leje”, thoshte një letër që është siguruar nga “The Times”. “Nuk janë të ligjshme për t’u përdorur në të ardhmen, ndaj duhet të fshihen menjëherë”.
Z.Grewal, zëvendës këshilltari i përgjithshëm i Facebook, tha në një deklaratë se Dr.Kogan, SCL Group dhe Cambridge Analytica i kishin autorizuar për të fshirë të dhënat në fjalë.
“Cambridge Analytica” mblodhi të dhënat e 50 milionë përdoruesve në Facebook, një nga rrjedhjet më të mëdha të informacionit në historinë e rrjeteve shoqërore. Credit Justin Sullivan/Getty Images
Por kopjet që mund t’i jenë bërë këtyre të dhënave janë jashtë kontrollit të Facebook. “The Times” pa disa të dhëna të papërpunuara të profileve që kishte mbledhur “Cambridge Analytica”.
Ndërkohë që z.Nix u kishte raportuar parlamentarëve se kompania nuk ka të dhëna nga Facebook, një ish punonjës tha se kishte parë kohët e fundit me qindra gigabyte të dhëna në serverët e Cambridge, dhe se skedarët nuk ishin të koduar.
Sot, teksa “Cambridge Analytica” përpiqet ta zgjerojë biznesin në SHBA dhe jashtë, z.Nix ka përmendur disa praktika të dyshimta. Këtë Janar, në filmime të fshehta, të marra nga Channel 4 News në Britani, që janë parë edhe nga “The Times”, ai mburrej se kishte punësuar kompani dhe ish-spiunë për klientë politikë në të gjithë botën, e madje kishte sugjeruar mënyra të ndryshme për të futur në kurth politikanë, duke krijuar situata komprometuese.
Hetimet e shumta që janë ndërmarrë e kanë dëmtuar biznesin politik të “Cambridge Analytica”. Nuk ka asnjë fushatë amerikane apo “Super PAC” që të ketë raportuar se i kanë paguar për zgjedhjet e mesmandatit 2018. Është ende e paqartë nëse “Cambridge Analytica” do të merret për të punuar me rikandidimin e Trump-it.
Ndërkohë, z.Nix po përpiqet t’i nxjerrë profilet psikografike në tregun e reklamave komerciale. E ka pozicionuar sërish veten si një “guru” i epokës dixhitale, “Njeri i Matematikës”, siç e quan ai. Një ish punonjës tha se vitin e shkuar, Cambridge i është afruar kompanive si Mercedes-Benz, Metlife dhe AB InBev, por nuk ka firmosur ende.
Matthew Rosenberg, Nicholas Confessore dhe Carole Cadwalladr raportuan nga Londra për këtë artikull. Gabriel J.X. Dance kontribuoi duke raportuar nga Londra, dhe Danny Hakim nga Nju Jorku, për NY Times.