Të gjitha vërejtjet e progres-raportit për Maqedoninë!
Me progres-raportin e Komisionit Evropian, Maqedonia fitoi rekomandim të kushtëzuar për fillim me bisedimet në BE. Në raport theksohet se "sfidat serioze të cilat kanë qenë dhe në vitet e mëparshme, tani janë më të theksuara dhe atë që nga kriza më e rëndë politike në vend e vitit 2001, me komunikimet e përgjuara të cilat siç shihet janë të përfshirë funksionarë të lartë shtetërorë, që tregon shkelje e të drejtave themelore të njeriut, përzierje në pavarësimin e gjyqësorit, lirinë e mediumeve, në zgjedhjet dhe partizimin dhe korrupsionin".
Në tekst përfundohet se "situata ndëretnike ngelet e brishtë".
Për këto çështje, KE thotë se ka paralajmëruar edhe në raportet paraprake të progresit.
"Analiza e Marrëveshjes kornizë të Ohrit, e cila në vitin 2001 i dha fund konfliktit në vend dhe që e garanton kornizën e marrëdhënieve ndëretnike, duhet të përfundojë”, thuhet në raportin e KE-së dhe shtohet se “ngjarjet në Kumanovë ende duhet plotësisht të hetohen", njofton Portalb.
Në kapitujt tjerë të Raportit qëndrojnë vërejtjet:
KRITERI POLITIK
Demokracia:
Këtë vit Maqedonia kalon nëpër krizën më të madhe politike pas asaj të 2001-shit.
Reforma në administratën publike:
Vendi ka realizuar reforma mesatare në administratën publike. Maqedonia ka bërë disa përparime në legjislacion dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
Shqetësimi në lidhje me politizimin e administratës është rritur duke pasur parasysh përmbajtjen e përgjimeve. Ka vonesë në zbatimin e plotë të kornizës së re ligjore.
Reforma urgjente nevojiten në përmirësimin e pozitës së personave në kontrata të përhershme, derisa parimi i meritës nuk respektohet.
Sundimi i ligjit:
Ka kthim mbrapa në sistemin gjyqësor të vendit. Arritjet në reformat nga dekada e kaluar janë dëmtuar nga përzierja reale e politikës në punën e gjyqësorit, njofton Portalb.
Të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e pakicave:
Korniza ligjore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në masë të madhe është harmonizuar me standardet evropiane, por fokusi duhet të vendoset më shumë në zbatimin e tyre. Organet që janë të kyçur në mbrojtjen dhe në përparimin e të drejtave të njeriut nuk kanë kuadër të mjaftueshëm dhe mjete financiare, ndërkaq shpesh janë të koordinuar keq mes tyre.
Në maj të këtij viti protestat kundër brutalitetit policor kanë shpjerë deri te përplasjet e dhunshme, ndërmjet policisë dhe demonstruese. Nga organizatat civile kanë pohuar se policia ka përdorur forcë të tepërt për ta kthyer rendin publik, ndërkaq pas shpërndarjes së protestuesve policia ka vazhduar me burgime.
Mediat:
Vendi shkon prapa sa i përket lirisë së shprehjes
Kurorë funerali është dërguar deri te familja e një gazetari, i cili i ka hetuar dhe kritikuar politikat e pushtetit.
Ka pasur disa grindje ndërmjet gazetarëve, por edhe sulm fizik ndaj një gazetarit nga një politikan i lartë, incident, i cili nuk është dënuar nga Qeveria, njofton Portalb.
Arsimi:
Protesta të studentëve, profesorëve universitar dhe të shkollave fillore, gazetarëve dhe të grupeve të tjera si rezultat i paralajmërimeve për reforma të reja në arsim.
Gjyqësori dhe të drejtat themelore:
Ka kthim mbrapa në sistemin gjyqësor të vendit.
Maqedonia ka nivel të caktuar të përgatitjes për zbatimin e legjislacionit evropian dhe të standardeve evropiane në këtë fushë. Në pjesë më të mëdha korniza institucionale dhe juridike është në rregull, por nuk ka përparim nga viti i kaluar.
Funksionimi i gjyqësorit:
Realizimi i planit aksionar 2015-2020 për reforma në gjyqësor është në fazë të hershme. Janë fomuar gjashtë grupe punuese për qasje në drejtësi, të drejtën administrative IT dhe e-drejtësi. Procesi kërkon mbështetje më të fuqishme politike dhe koordinim më të mirë mes palëve. Ndryshimi i fundit ligjor ka pësuar keq nga konsultimet jo-adektuate me ekspertët e kësaj fushe dhe nga mungesa e koordinimit me trupat ndërkombëtarë nga kjo problematikë.
Politika antikorrupsion:
Në vitin 2014 kanë qenë të procesuara 60 hetime dhe ndjekje penale për korrupsion. Përderisa hetimi, përndjekja dhe vendimet e shkallës së parë janë të shpejta, zhagmitjet ndodhin në fazën e ankesës.
Drejtësi, liri dhe siguri:
Shteti mesatarisht është i përgatitur për zbatimin e legjislacionit evropian në këtë fushë. Ka bërë disa përparime në sjelljen e ligjeve të reja dhe dokumenteve strategjike në disa fusha (emigrim, larje parash dhe terrorizëm). Shteti është vend transit për emigrantët, nëpërmjet Turqisë dhe Greqisë, drejtë Evropës Veriore.
Azil:
Numri i aplikimeve të reja për azil vazhdon të rritet, nga 1.364 në vitin 2014 deri në 1730 në vitin 2015. Ministria e Punëve të Brendshme punon në Departamentin për pranimin e azilantëve në Vizbeg ku ka emëruar përfaqësues me orar të plotë pune, më të cilën e ka përmirësuar qasjen për azil.
KRITERI EKONOMIK:
Maqedonia në përgjithësi ka arritur përparim. Raste pozitive janë vërejtur në lidhje me përforcimin e mjedisit të biznesit, mirëpo mbrapa është me menaxhimin e financave publike.
Zhvillimi në sektorin konkurrent privat ka ngecur nga zbatimi i dobët i marrëveshjeve dhe nga ekonomia e madhe gri.
Disiplina fiskale përsëri ka rënë, që tregon në nevojën që të përmirësohet plani mesatar për shpenzime.
Niveli i borxhit publik është rritur deri diku në vitet e fundit dhe paraqet shqetësim për shkak të jo-transparencës. Parashikimet afat-mesme janë se ai do të rritet, duke i pasur parasysh investimet e planifikuara.
Rritet ndikimi i Qeverisë në konkurrencën e sektorit privat nëpërmjet rregullativës dhe subvencioneve.
Themelimi i biznesit është i lehtë, por i vështirë është procesi i zmadhimit të tregut. Ndryshimet e shpeshta ligjore, aplikimi i ligjeve të pabarabarta dhe zbatimi i vështirë i marrëveshjeve është barrë e biznesit.