Të gjithë sytë mbi Korenë e Veriut

Nga Jenna Mclaughlin

Ndërsa në Uashington flitet rreth një sulmi të “përgjakshëm” kundër Koresë së Veriut, vëmendja e publikut është përqendruar në përgatitjet ushtarake konvencionale për një sulm amerikan mbi Phenianin. Më pak e vërejtur, por ndoshta edhe më domethënëse, është rritja e burimeve të inteligjencës muajt e fundit.

Zyrtarët e lartë nuk kanë mbajtur aspak sekret faktin se administrata po rrit kapacitetet e saj të inteligjencës për t’u përqendruar në Gadishullin Korean, por gjashtë burime me njohje rreth planifikimeve të SHBA-ve përshkruan një kacafytje thuajse të pashembullt brenda agjencive përgjegjëse për spiunimin dhe luftën kibernetike.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në fakt, sulmi fillestar kundër regjimit të Koresë së Veriut mund të jetë dixhital dhe jo fizik, sipas dy zyrtarëve të mëparshëm të inteligjencës me informacione për përgatitjet.

Swiss Digital Mobile Reklama

“E shtëna e parë do të jetë kibernetike,” tha një nga ish-zyrtarët.

Ndërsa udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un drejton hapat e vendit të tij drejt zhvillimit të raketave, qeveria e SHBA-ve për gjashtë muajt e fundit ka filluar fshehurazi hedhjen e bazës për sulme kibernetike të mundshme kundër Koresë së Veriut në vende të tjera, përfshirë Korenë e Jugut dhe Japoninë. Ky proces përfshin instalimin e kabllove me fibra si ura në atë rajon dhe ngritjen e bazave të largëta dhe posteve të përgjimit, ku hakerat mund të bëjnë përpjekje për të fituar akses në internetin e Koresë së Veriut, i cili është kryesisht i përjashtuar nga lidhjet e jashtme.

Përgatitjet për një sulm kibernetik pasqyrojnë një çështje më të madhe: spiunët e Amerikës mbështesin zmadhimin e aksioneve, duke u përpjekur të shpenzojnë miliarda dollarë në infrastrukturën teknike dhe profesionistë të trajnuar kundër Phenianit, thanë zyrtarët e tanishëm dhe të mëparshëm të inteligjencës për Foreign Policy.

“Fokusi teknik kombëtar është duke u ndryshuar,” tha një zyrtar i inteligjencës me njohuri për zhvillimet për FP. Ka ndërrime “me shumicë” me vlerë miliarda dollarë që riorientojnë drejtimet e inteligjencës, inteligjencën gjeohapësinore dhe aftësitë e tjera teknike, në drejtim të Phenianit.

Analistët e rajonit gjithashtu po rishpërndahen. “Nëse je një analist i Afrikës, je i mbaruar”, tha ish-zyrtari.

Përgatitjet, sipas këtyre burimeve, përfshijnë analistët e zbulimit ushtarak të tërhequr që janë kthyer në shërbim për t’u përqendruar në Korenë e Veriut. Kontraktuesit ushtarakë dhe të inteligjencës kanë postuar një numër njoftimesh pune muajt e fundit duke kërkuar analistë me aftësi në gjuhën koreane, përfshirë pozicionet për të identifikuar dhe rekrutuar burime të inteligjencës njerëzore.

Në nëntor 2017, u përhapen thashetheme në selinë qendrore të CIA-s në Langley, Virxhinia, se agjencia do të angazhonte analistë të të gjitha disiplinave për të punuar në Qendrën e re të misionit kundër Koresë, e themeluar në maj të 2017, si një simbol i seriozitetit potencial për një veprim ushtarak, tha një ish-zyrtar i inteligjencës për FP. Drejtori i CIA-s, Mike Pompeo, ka konfirmuar publikisht se po punëson punëtorë atje.

“Administrata e ka bërë Korenë e Veriut një prioritet të lartë dhe CIA krijoi Qendrën e saj të Misionit kundër Koresë për të shfrytëzuar burimet e plota, aftësitë dhe autoritetet e Agjencisë për të adresuar kërcënimin që paraqet Kim Jong Un dhe regjimi i tij”, zëdhënësi i CIA-s Jonathan Liu shkroi në një email. “Ne zhvendosim burimet e përshtatshme për të trajtuar sfidat tona më të ngutshme”.

Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes kishte një moment “të sikletshëm” pas pushimeve, tha një tjetër burim për FP, kur planifikimi i paparashikuar për të zhvendosur burimet drejt Azisë Lindore filloi më herët. Disa ekspertë që punojnë në fusha të tilla si kundërterrorizmi dhe kundërnarkotikët, papritmas kanë detyra të reja, ose frikësohen që se shpejti do të kenë të tilla, dhe u është thënë të ndryshojnë fokusin e tyre drejt Gadishullit Korean, përshkroi edhe një burim tjetër.

Shërbimi i Mbrojtës së Fshehtë, një krah i spiunazhit të DIA, ka rritur praninë e saj në rajon. Qeveria po punon për “vënien e elitës së elitës në gadishullin për të mbledhur informacione dhe përgjigjur situatës”, tha një ish-zyrtar i inteligjencës ushtarake për FP.

Zhvendosja në rajonet me prioritet të lartë për t’i shërbyer ushtrisë është thirrje nga DIA, tha James Kudla një zëdhënës i agjencisë. “DIA ka rolin unik për të siguruar që luftëtarët, planifikuesit e mbrojtjes dhe krijuesit e politikave kombëtare të kuptojnë aftësitë ushtarake të huaja dhe mjediset operacionale në mënyrë që ata të mund të parandalojnë ose të fitojnë me vendosmëri luftërat”, shkruajti ai në një email drejt FP.

Këto lëvizje në botën e inteligjencës pasqyrojnë përgatitjet ushtarake të raportuara për luftën e mundshme me Korenë e Veriut. Por, nën zhurmën e zhvendosjes së burimeve të inteligjencës, zyrtarë të shumëfishtë dhe të mëparshëm të inteligjencës i thanë FP-së, se ka shqetësime se fokusimi i tepruar me Korenë e Veriut mund të vijë në kurriz të pikave të tjera të nxehta, si Siria apo Irani.

“Si na lë kjo gjë të lënduar?” Pyeti një burim i inteligjencës ushtarake. Buxheti i mbrojtjes i miratuar nga Kongresi në fund të fundit nuk përfundon duke përputhur fushat ku Shtetet e Bashkuara shpenzojnë më shumë, dhe burimet nuk janë të pakufizuara. “Ne kemi ato që kemi”.

CIA parashtroi shqetësimin rreth burimeve të kufizuara si të gabuara. “CIA nuk është e paditur për të trajtuar përparësitë e shumta dhe për të kryer misionin e saj në mënyrë sulmuese. Ne jemi gjithmonë të ndërgjegjshëm për detyrimin tonë për ta mbajtur Amerikën të sigurt nga kërcënimet nga e gjithë bota”, shkroi Liu, zëdhënësi i agjencisë.

Joseph DeTrani, ish-drejtor i asociuar i inteligjencës kombëtare dhe menaxher i misionit për Korenë e Veriut, tha se përqendrimi i komunitetit të inteligjencës në Korenë e Veriut ka lulëzuar gjatë viteve. “Unë mendoj se ne u rritëm pak më shumë në vitin 1999, kur i ballafaquam me programin e pasurimit të uraniumit”, tha ai.

Në 2017, Koreja e Veriut bëri përparim të shpejtë në zhvillimin e raketave të përparuara – duke testuar më shumë se 20, ndonëse jo të gjitha ishin të suksesshme. Kim Jong Un është një njëri që i pëlqen të shfaqet kur është fjala për testimin e raketave, sipas DeTrani. “[Koreanët e Veriut] duan që ne të dimë se kanë këto aftësi raketore dhe bërthamore”, shtoi ai.

DeTrani, i cili shërbeu si i dërguar i posaçëm i SHBA-ve në bisedimet gjashtë palëshe me Korenë e Veriut midis 2003 dhe 2006, tha se administrata e Donald Trump po e bën regjimin dhe programin e tij bërthamor “shumë qartë përparësinë nr. 1”.

Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare konfirmoi fokusin në rritje ndaj Koresë së Veriut, por nuk pranoi të jepte specifika. (Më parë këtë muaj, zyra publikoi një njoftim që kërkonte një drejtor mbi Korenë, pjesërisht, që të “mbikëqyrte dhe monitoronte përpjekjet për të vlerësuar gjendjen e mbledhjes së informacioneve, analizës, operacioneve të inteligjencës dhe boshllëqeve të burimeve” në rajon).

“Koreja e Veriut ka qenë prej kohësh një përparësi shumë e lartë për Komunitetin e Inteligjencës,” shkroi Timothy Barrett, një zëdhënës i zyrës, në një deklaratë për FP.

“Duke pasur parasysh këtë sfidë dhe fokusin e lartë ndaj kësaj teme, Komuniteti i Inteligjencës ka shtuar përparësi, fokus dhe burime për përpjekjet tona kundër Koresë së Veriut gjatë disa viteve të fundit”, vazhdoi ai. “Ne vazhdojmë të bëjmë rregullime ndaj burimeve tona të përqendruara kundër Koresë së Veriut, siç e kërkon situata”.

CIA ka qenë veçanërisht e zhurmshme në fokusin e saj mbi Korenë. Në janar, Pompeo i tha një auditori në një aktivitet të organizuar nga Instituti Amerikan i Ndërmarrjeve në Uashington që mbështetja e “fushatës shtrënguese” të SHBA-së në Korenë e Veriut ishte “lloji i detyrës që CIA ishte projektuar”.

Ndërsa Pompeo nuk hyri në hollësi rreth misioneve në Azinë Lindore, ai vuri në dukje se CIA po ndihmonte përpjekjet e sanksioneve për të krijuar presion ekonomik dhe po “punonte për të përgatitur një sërë opsionesh” në rast se diplomacia dështon.

Një nga këto opsione, një ish-zyrtar i inteligjencës me njohuri të planifikimeve të kohëve të fundit, tha për FP, mund të synonte përdorimin e madh të “kripto-valutave” të Koresë së Veriut. “Tani ata kanë një arsye për të hakuar Bitcoin”, tha ish-zyrtari.

Komanda Kibernetike e SHBA-së, e cila kryen operacione dixhitale sulmuese, nuk pranoi të komentonte mbi planet e saj, apo çfarëdo opsioni që mund të ishte paraqitur. “Një nga përgjegjësitë kryesore të Komandës Kibernetike të SHBA-së është të krijojë një spektër të plotë të opsioneve të integruara të kibernetikës ushtarake për politikëbërësit dhe komandantët”, shkroi në një email ndaj FP Masao Doi, një zëdhënës i komandës.

Koreja e Veriut mbështetet në një farë mase në kripto-valuta për të shmangur sanksionet ndërkombëtare, dhe Pyongyangu gjithashtu ka shënjeshtruar aktivisht shkëmbimet në Bitcoin të Koresë së Jugut, sipas Priscilla Moriuchi, i cili deri vitin e kaluar udhëhoqi Agjencinë e Sigurisë Kombëtare për Azinë Lindore dhe zyrën kibernetike të Paqësorit.

Moriuchi, e cila tani punon për Recorded Future, një firmë private inteligjence dixhitale, tha se ajo ishte në gjendje të identifikonte disa mijëra vjedhje të veçanta në Bitcoin dhe forma të tjera të monedhave dixhitale. Por për shkak se jo të gjitha shkëmbimet raportojnë vjedhje dhe është e vështirë t’i atribuohet dikujt çdo sulm, “është e vështirë të identifikosh se sa monedha ka Koreja e Veriut në çdo kohë”, tha ajo.

Vetëm nga vjedhjet që Moriuchi ishte në gjendje të identifikonte, Koreja e Veriut mund të kishte bërë midis 15 milionë deri 200 milionë dollarë, në varësi se kur arkëtoi monedhat dixhitale për monedha reale. “Është e qartë se Koreja e Veriut po i shmang sanksionet”, tha ajo. “Kjo mund të jetë një burim i konsiderueshëm i të ardhurave – ne thjesht nuk e dimë kur ata arkëtojnë”.

Moriuchi tha se hakimi i rezervave kripto-valutore të Koresë së Veriut ose planifikimi i një ndonjë operacioni tjetër të inteligjencës rreth tyre mund të rezultojë i ndërlikuar, pasi është e vështirë të gjurmosh përdoruesit individualë dhe gjurmët e gjata nga prodhimi drejt vjedhjes dhe pastrimit të rezervave në para. Por mbajtja në konsideratë të monedhës dixhitale dhe operacioneve, mund të jetë një opsion i rëndësishëm mes goditjeve fizike ushtarake dhe retorikës së ashpër.

Shtetet e Bashkuara duhet të “gjejnë mjete të ndryshme” për të përmbajtur Korenë e Veriut, meqë sanksionet nuk janë të mjaftueshme për të ndaluar Kim Jong Un nga zhvillimi i  vazhdueshëm i raketave. “Kripto-valutat mund të na japin një alternativë të ndryshëm”, tha Moriuchi./Foreign Policy – Lexo.al/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?