Të mbijetosh nën bombën e Hiroshimës: Dëshmia e Michiko Kono

Shtatëdhjetë e nëntë vjet pas Hiroshimës dhe Nagasakit, një grua japoneze flet me mediat e Vatikanit për jetën e saj, që shpëtoi nga bomba atomike. Asokohe ishte vetëm katër muajsh. Shpëtova, por shpërthimi i shkaktoi asaj dhe familjes së saj efekte të ndryshme anësore, që ndikuan rëndshëm mbi shëndetin. “Duhet t’i japim fund armëve bërthamore, nëse duam paqe në botë”.
R. SH. – Vatikan

Michiko Kono ishte vetëm katër muajshe më 6 gusht 1945. Atë ditë, 79 vjet më parë, avionët luftarakë të SHBA-së B-29 hodhën bombën atomike, të njohur si “Little Boy” (Djali i vogël) mbi Hiroshimën, qytet i saj i lindjes. Ishte ora 8.15 e mëngjesit kur Michiko dhe prindërit ndodheshin në stacionin e Hiroshimës; nëna e saj sapo e kishte shtrirë në një stol prej druri për t’ia ndërruar pelenën. Pak më pas, vetëm 2 km më tutje, shpërtheu bomba. Tetëdhjetë mijë njerëz vdiqën menjëherë. Nxehtësia nga shpërthimi arriti në stacion e, ndërsa prindërit e saj pësuan djegie të rënda, Michiko pati fat në stolin e saj prej druri: dërrasa e pasme e mbrojti nga nxehtësia e kështu nuk u dëmtua. Një milje në jug, në shtëpinë e tyre, gjyshja e saj mbetej e vejë.

Vetëm katër muajshe në atë kohë, Michiko nuk e kujton ngjarjen, por e di sesi e kaloi gjithë jetën si e mbijetuar, gjë që e kujton si mesazh paqeje dhe shprese për brezat e rinj. Zëri i saj është në harmoni të përsosur me atë të Papës Françesku, i cili pesë vjet më parë vizitoi vendet e bombardimeve të Hiroshimës dhe Nagasakit, bombarduar vetëm tri ditë pas Hiroshimës. Duke ndjekur hapat e paraardhësit të tij Gjon Pali II, i cili vizitoi vendet në vitin 1989, Papa Françesku u ndal në Memorialin e Paqes, në Hiroshima, ku tridhjetë vjet më vonë, më 24 nëntor 2019, mbajti një fjalim historik. Me atë rast Papa nënvizoi se “përdorimi i energjisë atomike për qëllime lufte është sot, më shumë se kurrë, krim jo vetëm kundër dinjitetit të qenieve njerëzore, por edhe kundër çdo ardhmërije të mundshme për shtëpinë tonë të përbashkët. Përdorimi i energjisë atomike për qëllimet e luftës – denoncoi – është i pamoralshëm, ashtu siç është imoral prodhimi i armëve atomike”. Tha kështu, para se të paralajmëronte: “për këtë do të gjykohemi”.

Kohë shprese
Zonja Kono beson se zëri i liderëve me ndikim është edhe zë paqeje e shprese. “Tani njerëzit janë më të vetëdijshëm për atë që ka ndodhur, për rreziqet e bombës atomike” – thotë ajo për Radio Vatican – Vatican News. Ndodhet në Itali për t’u siguruar për këtë, ndërkohë që merr pjesë në Universitetin Veror Ndërkombëtar Tonalesate, ngjarje që mbahet çdo vit që nga viti 2000 dhe që këtë vit përqendrohet mbi temën “Le temps vaincu” – “Kohë të skaduara”. Michiko Kono mori pjesë në ditën e titulluar “Është shenjë e karakterit të fortë të shpresosh gjithmonë”.

Fëmijëri nën hijen e bombës
Muzeu i Paqes në Hiroshima, që Papa Françesku vizitoi dhe ku Michiko tani është vullnetare, u hap në vitin 1955, dhjetë vjet pas bombës. Iu deshën dyzet vjet për të gjetur guximin e vizitës së muzeut. “Mamaja ime më mori kur isha 10 vjeçe, por kisha shumë frikë të hyja” – kujton – Në vitin 2001, “e kuptova se e kisha për detyrë, si e mbijetuar, të tregoja historinë time”. Vetëm në Muze e kuptoi se sa me fat ishte: “Si fëmijë, jetova në periferi të Hiroshimës dhe ndoqa shkollën në atë lagje. Aty nuk kam parë shumë nga pasojat e rrezatimit. Nga Muzeu mësova për pasojat e tij dhe për fëmijët që vdiqën gjatë viteve të shkollës fillore nga leucemia dhe sëmundje të tjera të shkaktuara nga bomba”.

Në qytet kishte 350 mijë njerëz dhe në fund të vitit kishin vdekur 140 mijë. Më se gjysma e atyre që vdiqën, u kthyen menjëherë në hi të paidentifikueshëm, i vendosur tani në kriptën e memorialit. Shumë njerëz kanë vuajtur nga efektet e rrezatimit. Shumë prej tyre kanë vdekur dhe, edhe sot, shumë të tjerë ende vuajnë. Në vitin 2005, Michiko u pranua në sistemin e trashëgimisë së Muzeut. Aty takoi një tjetër të mbijetuar, Mitsuo Kodamo, me të cilën kaloi dy vjet duke folur dhe duke mësuar. Ajo ishte 16 vjeçe, kur shpërtheu bomba atomike dhe jetoi duke vuajtur nga efektet e rënda të rrezatimit deri në vdekjen e saj, në moshën 66-vjeçare. Tani Michiko Kono udhëton nëpër botë, duke treguar historinë dhe trashëgiminë e saj.

Efektet anësore?
Ndonëse ishin një nga familjet me fat, me kalimin e kohës zonja Kono dhe familja e saj kaluan një përvojë të çuditshme. “Në qershor, një vit pas shpërthimit – thotë ajo – u sëmura me temperaturë të lartë dhe diarre. Mjeku mendoi se do të vdisja. Pas shpërthimit babai im vuante nga gjakosja e mishrave të dhëmbëve, ndërsa nëna kishte e vijon të ketë temperaturë të ulët. Mbaj mend se kur isha rreth 9 vjeç, më dilnin shumë çibane, që ende nuk e di nga se shkaktoheshin”. Thotë kështu, e vijon: “Kur isha adoleshente, në shkollën e mesme, në verë vuajta nga rraskapitja. E pyesja gjithnjë veten nëse ishte rrezatim”.

Çdo qytetar i botës duhet ta dijë…
Tani – kujton Michiko Kono – “Unë mendoj se gjithnjë më shumë njerëz e dinë çfarë është bomba atomike” Bëhet fjalë për liderët botërorë që vizitojnë Muzeun e Paqes në Hiroshima dhe mësojnë “sa e fuqishme dhe e tmerrshme ishte bomba”. Por kjo nuk mjafton: “Çdo qytetar i botës duhet të dijë sesa mizore është”, shton. Ndërsa të rinjtë i këshillon: “Ju lutem ta keni parasysh. Ejani në Hiroshima dhe Nagasaki dhe mësojeni tragjedinë! Mendoni udhën që duhet ndjekur për t’u dhënë fund armëve bërthamore!

Është e domosdoshme, nëse duam një botë paqësore”.

SHKARKO APP