Të rinj, të arsimuar dhe të papunësuar

Në Europë, për të rinjtë po bëhet gjithmonë më e vështirë gjetja e një pune për të qenë, apo të përhershme, pavarësisht se ky brez është më i arsimuari që ka ekzistuar ndonjëherë. Organizata “Youth Guarantee” ka për synim t’i japë çdo personi nën moshën 25 vjeç një ofertë për punësim, arsimim të mëtejshëm apo trajnim katër mujor që nga momenti që nuk është i punësuar apo pasi le shkollën. Deri më tani, 14 milion persona e kanë pranuar këtë ofertë. Por, numri i të rinjve që nuk janë të punësuar është shqetësues, veçanërisht në pjesën jugore të BE-së. Në gusht të 2019-s, në 28 vendet anëtare të BE-së shkalla e papunësisë së të rinjve ishte 14.2 për qind.

Me një përqindje prej 27.1, Italia është një nga vendet e BE-së me shkallën më të lartë të papunësisë dhe qeveria shpreson se nisma “Youth Gurantee”, e përkthyer si “Garancia për të Rinjtë” do të ndihmojë në zgjidhjen e këtij problemi. Por kjo skemë është kritikuar pasi përqendron tek stazhi e jo tek punësimi me kohë të plotë. Ministrja e Punës së Italisë, Nunzia Catalfo thotë se ka mënyra për të përmirësuar skemën e “Garanzia Giovani”, duke prezantuar masa të reja të cilat fokusohen tek trajnimi më i mirë. Por, vëmendja duhet të kthehet edhe tek aspektet e tjera të papunësisë së të rinjve.

“Gjithashtu duhet të përforcojmë shërbimin social në mënyrë që të kujdesemi për këta të rinj dhe t’i ndihmojmë përgjatë arsimimit dhe trajnimit të tyre”, ka shpjeguar ajo. “Të mos arsimohesh do të thotë të jesh i izoluar nga tregu i punës dhe kjo rrjedhimisht të çon drejt papunësisë”.

Papunësia në Italinë e Jugut

Në rajonet e jugut të Italisë, pothuajse gjysma e të rinjve të moshës 15 deri në 24 vjeç janë të papunë. Në Kalabri, Pierdomenico Sesto mendoi të përballet me këtë problematikë duke hapur biznesin e tij, me ndihmën e programit për ndërmarrësit e rinj “Yes / Start Up”, e me mbështetjen e nismës “Youth Guarantee”. “Vendosa të bëhem sipërmarrës sepse kam punuar shumë këto vitet e fundit, më kanë shfrytëzuar dhe më kanë paguar më pak nga ç’më takonte, kështu që vendosa të nis biznesin tim,” thotë ai. “Dëgjova për Yes / Start Up kur pothuajse i kisha humbur të gjitha shpresat, sepse e kisha provuar dhe më parë që të merrja kredi nga disa banka”.

Me një pasion për librat e heronjve të animuar, Pierdomenico ia doli të përfitojë një skemë trajnimi për bizneset. Më pas, ai kërkoi një kredi prej 35 mijë eurosh që të mund të hapte dyqanin e tij. “Fondet i mora nga Invitalia, një agjenci kredish të buta nga rajoni i Kalabrisë”, ka shpjeguar ai. “Nuk mund të them se projekti Yes / Start-Up më ka shpëtuar jetën, por të paktën e ka ndryshuar paksa atë”. Falë nismës Youth Guarantee, 300 të rinj nga Kalabria dërguan projektet e tyre dhe 60 për qind prej tyre morën kredi.

Në Itali, vetëm 20 për qind e të rinjve që nuk janë të punësuar apo në shkollë janë të regjistruar në këtë skemë. Annarita Lazzarini është menaxherja e filialit italian të “Youth Guarantee” për rajonin e Kalabrisë. Ajo thotë se qendra e punësimit nuk ka gjithmonë informacionin e nevojshmëm që të rinjtë të marrin pjesë në këtë iniciativë, dhe kjo është arsyeja se përse Kalabria dhe rajone të tjera italiane kanë kthyer sytë nga sektori privat për ndihmë.

Ndihma nga sektori privat

Në Romë, Cristina Nicosia, menaxhere e marketingut digjital, ndihej “e lodhur” teksa merrte vetëm oferta për kontrata afat shkurtra. Kështu që, 3 vite më parë, ajo aplikoi në programin Growing in Digital, një program me partneritet midis Google dhe Dhomës Italiane të Tregtisë.

“Mu dha mundësia për të marrë pjesë në një kurs pa pagesë marketingu në internet dhe më pas isha me fat që mund të përdorja aftësitë që kisha marrë nga një stazh 6-mujor në një kompani”, thotë ajo. “Mu dhanë një sërë përgjegjësish dhe stazhi shkoi aq mirë sa në fund më dhanë një kontratë të përhershme. Projekti Crescere in Digitale ishte jetik për mua sepse i dha një shtysë jetës dhe karrierës sime profesionale”.

Rreth gjysma e të rinjve italianë që e përfundojnë programin e financuar nga Youth Guarantee janë tashmë të punësuar. Por ka ende shumë për të bërë, Pierdomenico kërkon që qeveria të japë më shumë informacion mbi mundësitë e punësimit.

Përmirësim i qasjes së informacionit

Ministrja e Punës Nunzia thotë se qeveria aktualisht po punon për të përmirësuar qasjen ndaj këtij informacioni. “E kemi nisur me 8 mijë operatorë por plani është që të kemi rreth 20 mijë deri në 2021, kështu që do të dyfishojmë numrin duke shtuar edhe 11 mijë e 600 operatorë, persona shumë të kualifikuar, puna e të cilëve është të ofrojnë ndihmë për njerëzit që janë duke kërkuar punë,” ka shpjeguar ajo. “Sigurisht që gjithashtu po planifikojmë për ta bërë më të thjesht marrjen e informacionit dhe për t’i bërë disa platforma digjitale të disponueshme në mënyrë që procesi për të gjetur punë të bëhet më i shpejtë dhe më i drejtpërdrejtë, jo vetëm për rininë por për këdo që është i papunësuar”.

Ajo pohon se qeveria po lufton me sukses problemin e papunësisë. Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, shkalla e punësimit në Itali është rritur dhe tashmë ka 70 mijë kontrata afatgjatë më shumë, falë masave të prezantuara vitin e shkuar, të njohura si Decreto dignita të cilat kanë për qëllim të rrisin numrin e kontratave të qëndrueshme dhe afatgjata kundrejt atyre me afat të shkurtër,” ka thënë ministrja. “Falë këtyre masave ne ishim në gjendje të krijonim më shumë stabilitet në tregun e punës dhe të dhënat konfirmojnë se kemi qenë të suksesshëm”.

SHKARKO APP