Të vdekur dhe shumë të plagosur nga fishekzjarret në Francë dhe Itali

Franca dhe Italia e kanë kaluar me incidente spektaklin e fishezjarreve natën e ndërrimit të viteve. Dy persona humbën jetën, ndërsa qindra të tjerë u lënduan, sipas ministrive të brendshme të dy vendeve.

Një burrë 30-vjeçar humbi jetën në veri-perëndim të Francës. 50 persona të tjerë u lënduan në të njëjtën zonë, kryesisht në sy dhe duar, nga fishekzjarret. Mes tyre dhe një vajzë 4-vjeçare. Kjo zonë furnizohet masivisht me fishekzjarre nga Gjermania fqinje, ku legjislacioni për t’i shitur ato është shumë më fleksibël.

Në Itali, fishekzjarret i morën jetën një 27-vjeçari, në Ascoli Piceno, ndërsa 204 të tjerë u plagosën, 11 prej tyre seriozisht.

Viktima u rrëzua nga shkëmbi në një zonë pyjore ndërsa përpiqej të shuante një zjarr të shkaktuar nga fishekzjarret.

Kjo është hera e parë që fishekzjarret e Vitit të Ri shkaktojnë incidente të tilla në Itali që nga viti 2013, kur numri i të vdekurve ishte dy dhe 622 të plagosur.

Për të shmangur viktimat, komuna e Romës ndaloi plotësisht përdorimin e fishekzjarreve këtë vit. Sidoqoftë, shumë vetura dhe koshat e plehrave u përfshinë nga zjarri për shkak të fishekzjarreve në shumë rrethe të kryeqytetit italian.

SHKARKO APP