Teheran, Irani zbulon një sistem tjetër mbrojtës anti-ajror
Irani zbuloi një sistem tjetër mbrojtës anti-ajor, sipas autoriteteve, për zbulimin e dronëve dhe raketave me një rreze veprimi prej 400 kilometrash, njoftoi agjencia e lajmeve “Isna”.
Ky njoftim u bë në kuadër të tensioneve në Lindjen e Mesme, ku SHBA-ja ka rritur presionin kundër Iranit, që e akuzon për destabilizim të rajonit.
Uashingtoni u tërhoq nga marrëveshja për limitimin e programit bërthamor iranian në maj 2018 dhe ka rivendosur që prej asaj kohe sanksione të rënda kundër Teheranit.
Tensioni është rritur ende mes dy vendeve pas sabotimeve dhe sulmeve të anijeve në Gjirin Persik dhe shkatërrimit të një droni amerikan nga Teherani.
“Sistemi “Falagh” është versioni lokal i ripunuar i radarit të mbikëqyrjes “Gamma”, theksoi agjencia e lajmeve Isna.
“Ky radar është i aftë të identifikojë dhe të gjejë të gjitha llojet e raketave, avionëve, sistemeve dhe raketave balistike, me një rreze veprimi prej 400 kilometrash”, deklaroi shefi i forcave të mbrojtjes së ushtrisë ajrore, Alireza Sabahi-Fard.//ATSH