Tel Aviv takimi Netanyahu-Blinken: Përderisa do të ekzistojë SHBA-ja, Izraeli nuk do të mbrohet kurrë i vetëm
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se përderisa do të ekzistojë SHBA-ja, Izraeli nuk do të mbrohet kurrë i vetëm, në një vizitë që ka bërë në Tel Aviv të enjten.
Në konferencë për media bashkë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Blinkeni është shprehur mirënjohës për kthimin në Izrael “në një moment shumë të vështirë për të gjithë botën”.
“Është e pamundur për mua që të shikoj fotot e familjeve që janë vrarë dhe të mos mendoj për fëmijët e mi. Foshnjat e masakruara, trupat e përdhosur, të rinjtë e djegur të gjallë, gratë e dhunuara, prindërit e ekzekutuar në sy të fëmijëve, fëmijët në sy të prindërve. Si mund ta kuptojmë këtë?”, ka thënë ai.
Blinken lavdëroi trimërinë e izraelitëve.
“Mesazhi që unë i sjell Izraelit është ky – ju mund të jeni mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur veten tuaj, por për sa kohë që Amerika ekziston, nuk do t’ju duhet kurrë, kurrë”, ka thënë Blinken.
Sipas Blinkenit, Hamasi ka veç një synim – zhdukjen e Izraelit dhe hebrenjve.
Lufta mes Izraelit dhe Gazës që ka shpërthyer nga e shtuna ka lënë mbi 2 mijë viktima nga të dyja palët.