Temperatura nën zero, bora mbulon shumë zona, ukrainasit përgatiten për dimër të tmerrshëm
Ukrainasit mund të përballen me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike nga tani deri në mars, në mot të ftohtë dhe me borë, sepse sulmet ajrore ruse kanë shkaktuar dëme “kolosale” në rrjetin elektrik, thanë zyrtarët.
Për të përballuar situatën, autoritetet po u bëjnë thirrje njerëzve që të grumbullojnë furnizime dhe të largohen nga zonat e goditura rëndë.
Sergey Kovalenko, drejtor ekzekutiv i ofruesit privat të energjisë DTEK Yasno, tha se kompania është nën udhëzimet nga operatori shtetëror i rrjetit të Ukrainës për të rifilluar ndërprerjet emergjente në zonat që mbulon, duke përfshirë kryeqytetin, Kievin dhe rajonin lindor të Dnipropetrovsk, raporton Zëri i Amerikës.
“Megjithëse tani ka më pak ndërprerje, dua që të gjithë ta kuptojnë: Me shumë mundësi, ukrainasve do t’u duhet të jetojnë me ndërprerje të paktën deri në fund të marsit“, paralajmëroi zoti Kovalenko në Facebook.
“Ne duhet të jemi të përgatitur për opsione të ndryshme, madje edhe ato më të vështira. Mblidhni rroba të ngrohta dhe batanije”, u tha ai banorëve ukrainas.
Rusia ka nisur gjashtë sulme masive ajrore kundër rrjetit elektrik të Ukrainës dhe pjesës tjetër të infrastrukturës që nga 10 tetori, ndërsa lufta hyn në muajin e nëntë. Ky sulm ka shkaktuar ndërprerje të gjerë të energjisë elektrike dhe ka privuar miliona ukrainas nga energjia elektrike, ngrohja dhe uji.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të martën në një fjalim video para një grupi deputetësh francez se sulmet me raketa ruse kanë shkatërruar pothuajse gjysmën e objekteve energjetike të vendit “për ta kthyer të ftohtin e dimrit në një armë të shkatërrimit në masë”. Më vonë, në fjalimin e tij të përnatshëm me video, ai njoftoi ngritjen e “Pikave të Pamposhtshmërisë” ku njerëzit mund të mblidhen për energji elektrike, komunikim me celular, qasje në internet, ngrohje, ujë dhe ndihmën e parë.
Temperaturat zakonisht qëndrojnë nën zero në Ukrainë në dimër, dhe bora tashmë ka rënë në shumë zona, përfshirë Kievin. Autoritetet ukrainase po evakuojnë civilët nga zonat e çliruara së fundmi të rajoneve jugore Kherson dhe Mykolaiv nga frika se dimri do të jetë shumë i vështirë për të mbijetuar.