Tensionet diplomatike – Rusia reagon ashpër ndaj sanksioneve të SHBA, fajëson Obamën
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka paralajmëruar se Moska do t’i kundërpërgjigjet ashpër sanksioneve më të reja të vendosura nga Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, acarimi i marrëdhënieve diplomatike mes palëve është pasojë e gabimeve të administratës së ish-Presidentit Barack Obama, i cili përjashtoi 35 diplomatë rusë në dhjetor 2016.
Pas sanksioneve të reja të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, Rusia ka vendosur të kundërpërgjigjet në mënyrë të ashpër.
Kështu është shprehur Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov, pasi Rusisë iu kërkua të mbyllte Konsullatën në San Fransisko dhe anekset në Nju Jork e Uashington.
Kjo masë pasoi lëvizjen e Moskës në reduktimin e stafit diplomatik amerikan në Rusi në korrik.
Sidoqoftë, për kreun e diplomacisë së Kremlinit, administrata Obama është fajtorja për tensionimin e marrëdhënieve diplomatike mes palëve dhjetorin e kaluar.
Kujtojmë se ish-Presidenti Obama përjashtoi 35 diplomatë rusë dhe urdhëroi mbylljen e dy komplekseve për shkak të veprimtarisë ruse në Krime dhe ndërhyrjes së pretenduar në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Presidenti rus Vladimir Putin fillimisht nuk iu përgjigj këtyre sanksioneve, por lajmëroi reduktimin masiv të stafit diplomatik amerikan në korrik.
Marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë është në një situatë të rrezikshme, sipas Presidentit Donald Trump.
Ky i fundit është vënë në qendër të dyshimeve se Moska ka ndikuar në fitoren e tij presidenciale dhe autoritetet kanë nisur një sërë hetimesh për të përcaktuar nëse ka patur vërtet një bashkëpunim të fushatës së tij me Rusinë.
Pretendimi është mohuar vazhdimisht si nga Kremlini, ashtu edhe nga vetë Presidenti Trump, që i ka quajtur hetimet “një gjueti shtrigash”.
KOHA JONË SONDAZH

