Tensionet në Mesdhe/ Stërvitje ushtarake në jug të Qipros, ministri i jashtëm turk: Nëse Greqia vazhdon…

Si një mesazh i ri dhe i fuqishëm drejt Ankarasë për provokimet e saj në Mesdheun Lindor konsiderohet stërvitja e përbashkët ushtarake e Greqisë, Qipros, Italisë dhe Francës, e quajtur me emrin simbolik “Evnomia” që në greqisht do të thotë respektim i ligjit.

Bëhet fjalë për një stërvitje 3 ditore në jug të Qipros, ku marrin pjesë forca të flotës ajrore dhe detare të katër shteteve anëtare të BE-së me fregata e avione luftarake, për të deklaruar praninë e përbashkët të tyre në Mesdheun Lindor në kuadrin e nismës për Bashkëpunimin Katërpalësh (QUAD).

Siç theksohet nga Ministria greke e Mbrojtjes, stërvitja zhvillohet në një moment kur tensionet dhe destabiliteti në rajon janë rritur, për shkak të konflikteve të zgjatura si dhe të rritjes së mosmarrëveshjeve për çështje të ndryshme që lidhen me hapësirën detare si kufijtë apo fluksi i emigracionit.

Ndërsa më herët Gjermania, në një përpjekje për të zbutur përsëri situatën mes Greqisë e Turqisë dërgoi ministrin e saj të Jashtëm për negociime, përgjigjja e Ankarasë ka ndezur më shumë gjakrat.

“Nëse Greqia vazhdon me deklarata të tilla si ajo e fundit qe thoshte se do të mbrojë të drejtat e saj, apo do të vazhdojë të zhvillojë stërvitje në Mesdheun Lindor, herën tjetër nuk do te kemi një aksident. Turqia është e gatshme të bëjë gjithçka që është e nevojshme pa asnjë hezitim”, u shpreh Mevlut Cavusoglu, ministri i Jashtëm turk.

Sipas Nënsekretarit të Shtetit të SHBA-së, Philip Reeker, veprimet e Turqisë janë provokuese, joproduktive dhe përgjegjëse për tensionin në rajon ndaj dhe Uashingtoni ka shprehur kundërshtimin e vazhdueshëm për fluturimet e avioneve turq mbi territorin grek, për dërgimin e anijeve të eksplorimit të gazit natyror edhe në ujërat e Qipros si dhe për nënshkrimin e memorandumit për delimitimin e zonave detare me qeverinë e Tripolit në Libi. Ndërsa shtypi gjerman i së mërkurës thekson në artikujt e sotëm në lidhje me situatën e nderë në Mesdheun Lindor, se Greqia dhe Turqia as nuk munden dhe as nuk duan ti zgjidhin vetë problemet që ndajnë.

Athina dhe Ankaraja nuk pajtohen jo vetëm për mosmarrëveshjen aktuale rreth rezervave të gazit, ndërsa kanë armiqësi më shumë se 100 vjet edhe pse janë anëtarë të NATO-s dhe kjo duket deri më sot, por më e rëndësishmja është se pas mungesës së dukshme të influencës amerikane në rajon, diplomacia gjermane me biseda telefonike nga kancelarja Merkel nuk po i zgjidh konfliktet, përfundojnë komentet e analistëve nga Berlini.

Ndërkohë parlamenti grek ratifikon në mesditën e së merkurës marrëveshjet për delimitimin e zonave detare dhe ZEE me Italinë dhe Egjiptin, akte ligjore për të cilat Ankaraja ka shprehur kundërshtimin e saj. TCH

SHKARKO APP