Tensionet – Presidenti Trump: Koreja e Veriut, “vend i papërgjegjshëm”

Presidenti Donald Trump dënoi Korenë e Veriut për provën më të madhe bërthamore që ka zhvilluar deri më sot, duke e cilësuar “një vend të papërgjegjshëm, retorika dhe veprimet e të cilit vazhdojnë të jenë armiqësore dhe të rrezikshme për Shtetet e Bashkuara.”

Përmes komenteve të tij në Twitter Presidenti amerikan tha se Koreja e Veriut “është bërë një kërcënim i madh për Kinën, që po përpiqet të ndihmojë për çështjen e krizës koreane, por pa patur suksesin e duhur”.

Presidenti kritikoi aleaten e SHBA-sç, Korenë e Jugut, duke thënë se “Seuli siç u kam thënë unë, po sheh se bisedimet për zbutjen e situatës me Korenë e Veriut nuk do të kenë sukses”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti dhe ekipi i Sigurisë Kombëtare po takohen për të diskutuar për çështjen e Koresë së Veriut.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sekretari i Thesarit Steve Mnuchin tha në një intervistë për televizionin “FOX NEWS” se është duke u shqyrtuar një paketë e re sanskionesh ekononomike ndaj Koresë së Veriut.

Koreja e Veriut kreu të dielën provën e gjashtë bërthamore, duke thënë se ka shpërthyer me sukses bombën bërthamore me hidrogjen, që mund të vendoset në një raketë ndërkontinentale.

Në një njoftim të agjencisë shtetërore të lajmeve të Phenianit KCNA, thuhet se bomba me hidrogjen, e përgatitur për t’u përshtatur me një raketë ndërkontinentale (ICMB) është në përputhje me planin e Partisë së Punëtorëve për ngritjen e një force strategjike bërthamore”.

Televizioni shtetëror koreano-verior tha se prova e bombës ishte “sukses i përkryer”, ndërsa theksoi se nuk ka radioaktivitet në atmosferë pas provës, një gjë që avionët amerikanë dhe japonezë me pajisje të posaçme po provojnë ta vërtetojnë.

Tërmete pas shpërthimit

Sizmologët amerikanë dhe kinezë thanë se shpërthimi shkaktoi dy tërmete të cekëta në rajonin Punggye-ri, ku ndodhet objekti i provave bërthamore. Autoritetet në Japoni, Kore të Jugut dhe një numër ekspertësh joqeveritar në Shtetet e Bashkuara, konfirmuan se tërmetet ishin rrjedhojë e provës bërthamore.

Tërmeti i parë ishte prej 6.3 shkallësh, që është e barabartë me shpërthimin e një bombe hidrogjenike prej 1 megatoni. Sipas agjencive japoneze dhe koreano-jugore, shpërthimi ishte ta paktën 10 herë më i fuqishëm sesa prova e fundit bërthamore e kryer më 9 shtator të vitit 2016, që shkaktoi një tërmet prej 5.3 shkallësh.

Pesë minuta më pas, sizmologët regjistruan një tërmet prej 4.6 shkallësh, që mund të jetë rrjedhojë e rrëzimit të tunelit ku ishte e vendosur pajisja bërthamore.

” Nëse Koreja e Veriut ka kryer një provë bërthamore, kjo është absolutisht e papranueshme dhe ne do të duhet të protestojmë fuqishëm. Këshilli i Sigurisë Kombëtare tani do të takohet që mbledhë informacione dhe për të analizuar këtë”, tha kryeministri japonez Shinzo Abe.

Synimi afatgjatë i Koresë së Veriut

Jeffery Lewis, drejtor i programit për Azinë Lindore në Qendrën James Martin, tha se nuk është i befasuar që Koreja Veriore ka arritur mundësitë për të kryer një provë termobërthamore të plotë.

“U kam thënë njerëzve për vite të tëra se ky rrëfim do të përfundojë kështu”, i tha ai Zërit të Amerikës. “Koreano veriorët kanë thënë se ky është synimi i tyre për një kohë të gjatë”.

Embargo e naftës

Sekretari i kabinetit japonez, u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara që të vendosin sanksione të mëtejshme ekonomike, përfshirë edhe kufizimin e importeve të naftës në Korenë e Veriut. Në korrik Këshilli i Sigurimit i OKB-së, njëzëri vendosi kufizime që përfshijnë ndalimin e eksporteve të peshkut, qymyrit dhe mineraleve tjera fitimprurëse që mund të privojnë Phenianin nga më shumë se 1 miliardë dollarë të ardhura.

Gazeta japoneze Shimbun, raportoi në edicionin e së shtunës se Koreja e Veriut ka vendosur të ruajë naftën dhe benzinën në pritje të një embargoje të naftës. Gazeta tha se autoritetet e Koresë së Veriut synon të ruajë rreth 1 milion ton rezerva të naftës.

Ministria e jashtme kineze lëshoi një deklaratë të dielën duke e dënuar provën bërthamore dhe i bëri thirrje Koresë së Veriut që t’u jap fund veprime “të gabuara” dhe të respektojë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Koreja e Jugut bëri thirrje për “përgjigjen më ashpër të mundshme”, përfshirë edhe sanksionet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do “izolonin plotësisht” Korenë Veriore. Chung Eui-yong, këshilltar i sigurisë kombëtare të Koresë së Jugut, tha se Seouli dhe Washingtoni kanë diskutuar po ashtu vendosjen e pajisjeve strategjike ushtarake amerikane në Gadishullin korean.

Udhëheqësi i Koresë së veriut, Kim Jong Un, i ka dhënë përparësi zhvillimit të raketave bërthamore ndërkontinentale që mund të godasin tokën amerikane. Prova e së dielës u parapri nga lëshimi i 21 raketave gjatë këtij viti, përfshirë edhe dy raketave balistike në muajin korrik.

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka përsëritur se zhvillimi i mundësive të Koresë së Veriut për të hedhur raketa bërthamore me rreze të gjatë veprimi, do të paraqes kërcënim të papranueshëm për sigurinë. Zyrtarët amerikanë kanë nënvizuar nevojën për të shtuar trysninë nëpërmjet sanksioneve mbi Phenianin që të ndryshojë sjelljen e tij, por kanë paralajmëruar po ashtu se po shqyrtohen të gjitha mundësitë, përfshirë edhe veprimet ushtarake.

Sipas një njoftimi nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Trump dhe kryeministri japonez biseduan me telefon të shtunën para provës bërthamore dhe theksuan nevojën për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet të dyja vendeve dhe Koresë së Jugut përballë kërcënimeve bërthamore në rritje nga Koreja e Veriut. Të dy udhëheqësit janë pajtuar që duhet rritur trysninë mbi Korenë e Veriut, u tha gazetarëve kryeministri japonez.

Presidenti i Koresë së Jugut dhe kryeministri japonez, kanë caktuar mbledhjet e Këshillave të Sigurisë Kombëtare, pak pas provës së të dielës.

Koreja e Veriut kreu provën e parë bërthamore më 9 tetor të vitit 2006./VOA/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?