Tensionet SHBA-Iran, ambasadorët e NATO-s mblidhen në takim të jashtëzakonshëm
Ambasadorët e vendeve të NATO-s do të mblidhen sot për të diskutuar për krizën mes SHBA-së dhe Iranit, theksoi një zëdhënës i organizatës.
“Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg vendosi të organizojë këtë takim me ambasadorët e NATO-s pasi kishte diskutuar me aleatët”, tha zëdhënësi.
Ambasadorët e 29 vendeve të NATO-s mblidhen rregullisht në Bruksel për të diskutuar për çështjet e aktualitetit dhe interesit të përbashkët.
Të shtunën, NATO njoftoi pezullimin e operacioneve të trajnimit në Irak, pas vdekjes së gjeneralit iranian, Qassem Soleimani në një sulm amerikan në Bagdad.
Misioni i NATO-s në Irak, që numëron disa qindra ushtarë, trajnon që prej tetorit 2018 forcat e këtij vendi me kërkesë të qeverisë irakiane për të penguar rikthimin e Shtetit Islamik.