Tentativë për grusht shteti, qytetarët në rrugë, Kryeministri armen akuzon ushtrinë
Kryeministri armen paralajmëroi qytetarët e vendit për një përpjekje për grusht shteti nga ushtria këtë të enjte. Menjëherë, mijëra armenë dolën në rrugët e kryeqytetit për ta mbështetur atë, pasi ushtria kërkoi që ai dhe qeveria e tij të jepnin dorëheqjen.
Me mijëra qytetarë armenë kanë dalë në rrugët e kryeqytetit Jerevan këtë të enjte pas thirrjes së kryeministrit Nikol Pashinyan se ushtria vendase kërkon që të organizojë grusht shteti.
“Ajo që ndodhi sot është se disa njerëz deshën që ta nxirrnin ushtrinë në rrugë dhe të organizonin grusht shteti, – tha kreu i ekzekutivit përballë qytetarëve në Jerevan. Jam i sigurtë se kushdo që e firmosi këtë dokument e ka bërë i detyruar nga shefat. Por jam këtu për t’ju thënë se detyra juaj është të mbroni qytetarët armenë, jo që ushtria të përfshihet në politikë, – ishte mesazhi i kryeministrit Pashinyan.
Kryeministri gjithashtu mohoi thashethemet se ai po përgatitej të largohej nga vendi dhe kërkoi publikisht dorëheqjen e shefit të Ushtrisë.
Nuk munguan as përleshje sporadike në rrugët e Jerevanit.
Rusia, një aleate e Armenisë, e cila ka një bazë ushtarake në vend, tha se ishte e alarmuar nga ngjarjet në ish-republikën Sovjetike dhe bëri thirrje që situata të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe brenda normave të kushtetutës.
Kryeministri është përballur me thirrje për të lënë karrigen që nga nëntori, pasi humbi konfliktin gjashtë-javor me Azerbajxhanin për enklavën e Nagorni-Karabakut dhe zonat përreth.
Kryeministri Pashinyan, një ish-gazetar, që erdhi në pushtet në një revolucion paqësor në maj të 2018-ës, ka hedhur poshtë thirrjet për t’u larguar, megjithë protestat e opozitës.
Ai thotë se merr përgjegjësi për atë që ndodhi në luftime, por siguria e vendit është parësore. Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse ushtria ishte e gatshme të përdorte forcën për të rrëzuar qeverinë.