Terror në Britani, 3 viktima nga një sulm me thikë

Një qytezë e vogël në Britaninë e Madhe është terrorizuar nga një sulm me thikë që la të vdekur të shtunën mbrëma të paktën tre veta dhe disa të plagosur.

Tre persona janë vrarë dhe më shumë kanë marrë plagë të rënda pas një sulmi me thikë në Britaninë e Madhe.

Ngjarja ndodhi të shtunën mbrëma në qytezën e vogël angleze të Ridingut, dhe nuk po hetohet si incident me motive terrorizmi, megjithëse në vendngjarje mbërritën ekipet e posaçme.

Rreth orës 19, një 25-vjeçar me origjinë nga Libia dyshohet se hyri në mesin e grupeve të banorëve që argëtoheshin në park, duke mbajtur një thikë në dorë e duke i sulmuar pa shkak.

Sipas dëshmitarëve, autori goditi fillimisht një grup me burra, u hodh me vrull drejt një grupi tjetër qytetarësh, duke rendur me vrap pas viktimave.

Pas panikut që krijoi ngjarja, dhe me largimin e personave të pranishëm, tentoi të largohej edhe vetë autori, por u arrit të neutralizohej nga policia pak minuta më vonë.

Tre blloqe banesash në afërsi të vendngjarjes u bastisën nga forcat e rendit.

Politikanë dhe kryeministri i vendit, Boris Xhonson, ngushëlluan viktimat dhe e dënuan sulmin.

Përpos autorit 25-vjeçar që është edhe banor i qytezës, raportohet se paraprakisht nuk ka dyshime për persona të tjerë, por hetimet vazhdojnë dhe do ketë prezencë të lartë policie.

Më herët gjatë ditës, në qytezën jugore të Anglisë u mbajt një protestë nga aktivistë të të drejtave të personave me ngjyrë, por policia ka mohuar lidhjet mes dy ngjarjeve.

Nëntorin e kaluar, Britania e Madhe uli nivelin e gatishmërisë ndaj rrezikut të sulmeve terroriste, ndërsa që atëherë janë raportuar dy incidente me natyrë xhihadiste deri në muajin shkurt, nga të cilat dy viktima kanë humbur jetën ndërkohë janë ekzekutuar edhe vetë autorët.

SHKARKO APP