The Guardian: “Grabitja e madhe e Brexit. Si u mor peng demokracia jonë”
Një operacion i errët global që përfshin “big data”, miqtë miliarderë të Trumpit dhe forcat e fushatës për largimin nga Bashkimi Europian, ndikuan në rezultatet e referendumit të BE-së. Teksa Britania e Madhe shkon sërish drejt kutive të votimit, a është procesi elektoral në Mbretërinë e Bashkuar, i përshtatshëm për t’i shërbyer qëllimit?
“Aftësia ndërlidhëse, që është në qendër të globalizimit mund të shfrytëzohet nga shtete me qëllime armiqësore, për të çuar përpara qëllimet e tyre. […] Rreziqet janë të thella dhe përbëjnë një kërcënim themelor ndaj sovranitetit tonë”.
Alex Rinj, kreu i MI6, dhjetor 2016
“Nuk është puna e MI6, që të paralajmërojë për kërcënimet e brendshme. A mos vallë njëra degë e shërbimeve të inteligjencës, po godiste me shigjetë një degë tjetër? Apo i drejtohej qeverisë së Theresa Mayt? A mos ajo di diçka që nuk na e thotë?
Analist i inteligjencës, prill 2017
Nga Carole Cadvalladr
Në qershor të vitit 2013, një amerikane e sapodiplomuarme emrin Sophie po kalonte nga Londra, kur i telefonoi shefit të një firme ku kishte bërë praktikën mësimore. Kompania, SCL Elections, më pas do të blihej nga Robert Mercer, një miliarder hedge fund-i që pëlqen fshehtësinë, do të ndërronte emrin në Cambridge Analytica, dhe do të fitonte famë si kompania e analizave të të dhënave, e cila kishte luajtur një rol në fushatat e Trumpit dhe Brexit. Por këto ende nuk kishin ndodhur. Londra në vitin 2013, po shijonte ende shkëlqimin e Olimpiadës. Britania nuk kishte zgjedhur ende Brexit. Bota ende nuk ishte përmbysur.
“Kjo ishte përpara se ne të ktheheshim në një kompani të errët, distopike të dhënash, e cila i dha botës Trumpin”, më tha një ish punonjës i Cambridge Analytica, të cilin po e quaj Paul. “Në atë kohë, ne ishim ende një kompani që merrej me luftën psikologjike”.
Vërtetë kështu e quanit, e pyes. Luftë psikologjike? “Totalisht. E tillë është. “Psyops”. Operacione psikologjike – të njëjtat metoda që ushtria i përdor për të nxitur ndryshime masive në ndjenjat e njerëzve. Këtu e kanë fjalën, kur flasin për fitim të “mendjeve dhe zemrave”. Ne e bënim për të fituar zgjedhje, në ato lloje vendesh në zhvillim, që nuk kanë shumë rregulla”.
Përse dikush do të dëshironte të bënte praktikën, në një firmë që merret me luftën psikologjike, e pyeta. Dhe ai më pa si i çmendur. “Ishte njësoj sikur të punonim për MI6. Vetëm se është MI6 e dhënë me qira. Ishte shumë shik, shumë ‘angleze’, e drejtuar nga një student i Eton-it dhe aty bëje disa gjëra me të vërtetë interesante. Fluturoje në të gjithë botën. Punoje me presidentin e Kenias ose Ganës, apo kudo tjetër. Nuk është si fushatat zgjedhore në perëndim. Atje bën gjithfarësoj çmendurish”.
Atë ditë në qershor 2013, Sophie u takua me drejtorin ekzekutiv të SCL, Aleksandër Nix, dhe i dha embrionin e një ideje. “Ajo tha, “Duhet të merreni vërtetë me të dhëna”. Ajo e bindi vërtetë Aleksandrin. Dhe i sugjeroi që të takohej me një kompani, e cila i përkiste dikujt, të cilin ajo e njihte prej babait”.
Cili është babai i saj?
“Eric Schmidt.”
Eric Schmidt – shefi i Google?
“Po. Dhe ajo sugjeroi që Aleksandri duhej të takonte këtë kompani, që quhej Palantir”.
Unë kisha folur me ish-punonjës të Cambridge Analytica për muaj të tërë dhe kisha dëgjuar dhjetëra histori që të “ngrinin qimet përpjetë”, por sërish mbeta i shastisur. Për këdo që është i shqetësuar nga survejimi, Palantir është një fjalë që të bën të hidhesh përpjetë. Kompania e nxjerrjes së të dhënave, ka kontrata me qeveritë në të gjithë botën – duke përfshirë GCHQ dhe NSA. Ajo është në pronësi të Peter Thiel, bashkëthemelues i miliarderëve të eBay dhe PayPal, i cili u bë përkrahësi i parë i fortë i Silicon Valley nga Trump.
Në një farë mënyre, shfaqja e vajzës së Eric Schmidt për të bërë një prezantim me Palantir është një tjetër detaj i çuditshëm, në historinë më të çuditshme për të cilën kam kërkuar ndonjëherë.
Një detaj i çuditshëm por që thotë shumë. Sepse shkon në zemër të arsyes përse, historia e Cambridge Analytica është një prej atyre më thellësisht shqetësuese të kohës sonë. Sophie Schmidt tani punon për një tjetër kompani të madhe në Silicon Valley: Uber. Dhe ajo që bëhet e qartë, është se fuqia dhe dominimi i Silicon Valley – Google, Facebook dhe një grusht të tjerësh – janë në qendër të zhvendosjes tektonike që jemi duke parë aktualisht.
Ajo zbulon gjithashtu një të çarë kritike në debatin politik në Britani. Sepse ajo që po ndodh në Amerikë dhe ajo që po ndodh në Britani, janë të ndërthurura. Brexit dhe Trump janë të ndërthurura. Lidhjet e administratës Trump me Rusinë dhe Britaninë janë të ndërthurura. Dhe Cambridge Analytica është një pikë qendrore, përmes së cilës mund t’i shohim të gjitha këto marrëdhënie në veprim. Ajo gjithashtu zbulon elefantin në dhomë, teksa ne britanikët shkojmë drejt zgjedhjeve të përgjithshme: Britania po e lidh të ardhmen e saj me një Amerikë që po ribëhet – në mënyrë radikale dhe alarmante – nga Trump.
Ka tre linja për këtë histori. Se si themelet e një shteti autoritar survejimi, janë duke u hedhur në SHBA. Si u shkatërrua demokracia britanike, përmes një plani të fshehtë e kohëgjatë, të koordinuar nga një miliarder amerikan. Dhe si ndodhemi në mesin e një lufte të madhe për pushtet, nga miliarderët, përmes të dhënave që janë tonat. Të dhëna të cilat janë mbledhur në heshtje, janë “korrur” dhe janë ruajtur. Kushdo që zotëron këto të dhëna, zotëron të ardhmen.
Pikënisja ime në këtë histori, është, ashtu si shumë gjëra të tjera, me një kërkim në Google natën vonë. Në dhjetor të vitit që kaloi, ndesha në një seri sugjerimesh në funksionin e “plotësimit automatik” në Google, që përfundonin me “a ndodhi Holokausti”. Dhe një faqe të tërë me rezultate, që pretendonin se nuk kishte ndodhur.
Algoritmi i Google ishte manipuluar nga faqe ekstremiste dhe ishte Jonathan Albright, profesor komunikimi në Elon University, në Karolinën e Veriut, që më ndihmoi të kuptoja atë që po shihja. Ai ishte personi i parë që strukturoi dhe zbuloi një ekosistem të tërë të lajmeve dhe informacionit të të djathtës ekstreme, dhe ishte i pari që më prezantoi me Cambridge Analytica.
Ai e quajti kompaninë një pikë qendrore në “makinën propaganduese” të së djathtës, një fjali që unë e citova, në lidhje me punën e saj për fushatën zgjedhore të Trumpit dhe fushatën e referendumit të atyre që kërkonin daljen e Britanisë nga BE.
Kjo më çoi në artikullin e dytë mbi Cambridge Analytica – si një nyje qendrore në rrjetin e lajmeve alternative dhe informacionit, që unë besoja se po e krijonin Robert Mercer dhe Steve Bannon, ndihmësi kryesor i Trump, i cili tani është kryestrategu i tij. Gjeta prova që sugjeronin se ishin në një mision strategjik për të shkatërruar mediat kryesore, dhe t’i zëvendësonin me media që përmbanin fakte alternative, lajme të rreme dhe propagandë të djathtë.
Mercer është një shkencëtar i shkëlqyer kompjuterësh, një pionier në inteligjencën e hershme artificiale dhe bashkëpronar i një prej hedge fund-eve më të suksesshme në planet. Dhe kam zbuluar se ai është gjithashtu mik i ngushtë i Nigel Farage. Andy Uigmore, drejtor i komunikimit i “Leave.EU” më tha se ishte Mercerqë e kishte orientuar kompaninë e tij, Cambridge Analytica, për të “ndihmuar” fushatën e “Leave” (largimit nga BE).
Artikulli i dytë nxiti dy investigime, të cilat po vazhdojnë: një nga Zyra e Komisionerit të Informacionit për përdorimin e paligjshëm të të dhënave. Dhe një të dytë nga Komisioni Zgjedhor i cili është “përqendruar për të zbuluar nëse një ose më shumë donacione – duke përfshirë edhe shërbime – të pranuara nga “Leave.EU” kanë qenë të palejueshme”.
Ajo që zbulova më pas, është se roli i Mercer në referendum, shkonte shumë përtej kësaj. Shumë më tej se sa juridiksioni i cilitdo ligj në Mbretërinë e Bashkuar. Çelësi për të kuptuar se si një miliarder i motivuar dhe i vendosur, mund të anashkalojë ligjet tona elektorale,mund të gjendet tek AggregateIQ, një kompani e errët që merret me analiza rrjeti, me qendër në një zyrë mbi një dyqan në Victoria, British Columbia.
Pikërisht me AggregateIQ, fushata e “Vote Leave” zgjodhi të shpenzonte 3.9 milion stërlina, më shumë se gjysmën e buxhetit zyrtar të fushatës prej 7 milionë stërlinash. Siç bënë edhe tre fushata të tjera të lidhura me “Leave”: “BeLeave”, “Veteranët për Britaninë” dhe “Partia Demokratike Unioniste”, që shpenzuan edhe 757,750 stërlina. “Koordinimi” ndërmjet fushave është i ndaluar sipas ligjit elektoral të Mbretërisë së Bashkuar, përveç rasteve kur deklarata e shpenzimeve të fushatës bëhen së bashku. Nuk ndodhi. “Vote Levae” thotë se Komisioni Zgjedhor “e pa këtë” dhe e “konsideroi të pastër”.
Si ndodhi që, një kompani e panjohur kanadeze, luajti një rol kaq të rëndësishëm në Brexit? Është një pyetje që e ka ngritur edhe Martin Moore, drejtor i qendrës për studimin e komunikimit, mediave dhe pushtetit, në King’s College në Londër. “Kam kaluar nëpër të gjitha faturat e fushatës së “Leave”, kur Komisioni Zgjedhor i hodhi në faqen e tij në internet, në muajin shkurt. Dhe zbulova vazhdimisht gjithë këto sasi të mëdha, që shkojnë tek një kompani, për të cilën jo vetëm nuk kisha dëgjuar kurrë, por edhe në internet nuk ishte fare e pranishme. Më shumë para u shpenzuan me AggregateIQ, se sa me çdo kompani tjetër, në çdo fushatë tjetër, gjatë të gjithë referendumit. Gjithçka që gjeta, në atë kohë, ishte një faqe interneti me një faqe, dhe kaq. Ishte një mister absolut”.
Moore kontribuoi në një raport të LSE, të botuar në prill, i cili konkludonte se ligjet zgjedhore të Mbretërisë së Bashkuar ishin “të dobëta dhe të pafuqishme”, përballë formave të reja të fushatave digjitale. Kompanitë offshore, paratë e hedhura për baza të dhënash, palët e treta të palidhura … tavanët për shpenzimet ishin zhdukur. Ligjet që gjithmonë kishin qenë në bazë të ligjeve elektorale të Britanisë, nuk ishin më të përshtatshëm për qëllimin. Ligjet, thoshte raporti, duhej “të shqyrtoheshin urgjent nga parlamenti”.
AgregateIQ ka çelësin për zbulimin e një tjetër rrjeti të ndërlikuar influencash, që ka krijuar Mercer. Një burim më dërgoi një email, ku më thoshte se kishte gjetur që adresa dhe numri i telefonit të AggregateIQ, korrespondonin me një kompani të listuar në faqen e internetit të Cambridge Analytica, si zyra e saj jashtë vendit: “SCL Canada”. Një ditë më vonë, ajo referencë në internet u zhduk.
Duhej të kishte patjetër një lidhje midis dy kompanive. Mes fushatave të ndryshme të “Leave”. Midis referendumit dhe Mercerit. Ishte një koincidencë shumë e madhe. Por të gjithë – AggregateIQ, Cambridge Analytica, Leave.EU, Vote Leave – e mohojnë. AggregateIQ kish qenë thjesht një “kontraktor afatshkurtër” për Cambridge Analytica. Nuk kishte asgjë për ta mohuar këtë. Ne publikuam faktet e njohura. Më 29 mars, nisi zbatimi i Nenit 50.
Pas kësaj takova Paulin, i pari i burimeve, që kish punuar më parë tek Cambridge Analytica. Ai është në fundin e të 20-ave dhe ka lëndime mendore nga koha e kaluar atje. “Është pothuajse si shoku post traumatik. Ishte aq … e rëndë. Ndodhi shumë shpejt. U zgjova një mëngjes dhe pashë që ishim kthyer në partinë republikane fashiste. Ende nuk mundem që ta lë pas meje atë gjë”.
Ai qeshi kur i fola për misterin irritues që ishte AggregateIQ. “Gjej Chris Wylie”, më tha.
Kush është Chris Wylie?
“Ai është personi që solli të dhënat dhe mikro-shënjestrimin [mesazhe politike të individualizuara] tek Cambridge Analytica. Dhe ai është nga Kanadaja perëndimore. Vetëm prej tij ekziston AggregateIQ. Ata janë miqtë e tij. Eshtë ai që i futi në lojë”.
Nuk kishte vetëm një marrëdhënie midis Cambridge Analytica dhe AggregateIQ, më tha Pauli. Ata ishin të lidhur ngushtë, ishin nyje kyçe në perandorinë e shpërndarë të Robert Mercerit. “Kanadezët ishin zyra jonë e pasme. Ata ndërtuan softuerin tonë. Ata mbajtën bazën tonë të të dhënave. Nëse AggregateIQ është e përfshirë, atëherë edhe Cambridge Analytica është e përfshirë. Dhe nëse Cambridge Analytica është e përfshirë, atëherë Robert Mercer dhe Steve Bannon janë të përfshirë. Duhet të gjeni Chris Wylie-n”./bota.al/