Themelohet Bashkësia Islame Salafiste në Maqedoninë e Veriut, Zaev: Problem për sigurinë e shtetit
Për themelimin e Bashkësisë së re Islame salafiste, kanë reaguar edhe përfaqësuesit politikë në Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Zoran Zaev tha se bëhet fjalë për bashkësi, e cila përbën problem për sigurinë e shtetit. Sipas tij, reagimi i BFI-së ka bazë dhe është një arsye më shumë që shteti të veprojë për këtë çështje.
“Në një pjesë të bashkësive, për fat të keq kemi radikalizëm dhe fenomene të tjera devijante për të cilat shteti duhet të mbajë llogari në shumë aspekte dhe jo vetëm për ligjin për bashkësitë fetare. Jam informuar nga ministri i Drejtësisë se një gjykatë e jona ka bërë verifikim të kësaj bashkësie e cila është problem për aspektin e sigurisë së shtetit. Besoj se vetë shërbimet kompetente do të merren me zgjidhjen e kësaj çështje” – tha Zoran Zaev, kryeministër.
Ndërsa nga Koalicioni ASH-AAA thonë se në formimin e Bashkësisë së re Islame ka dorë vetë shteti.
“Për ne nuk është vetëm se sulm apo atak ndaj Bashkësisë Islame por është sulm edhe ndaj bashkëjetesës në vend pasi që konsiderojmë që kjo është pjellë e institucioneve qeveritare për të bërë përçarje në kuadër të shumicës myslimane në këtë rast dhe njëkohësisht dhe për ta de fokusuar problemin real që e ka vendi. Konsiderojmë që tërësia dhe uniteti i Bashkësisë Islame është i paprekshëm dhe duhet sa më shpejtë këto institucione këtë pjellë të vetën ta largojnë nga regjistri”, – tha Skënder Rexhepi, ASH-AAA.
VMRO DPMNE-ja, ende pa qëndrim.
“Ajo është punë edhe e shtetit, ndërsa qëndrimin tonë si parti do ta themi plotësisht pasi tema është e freskët”, – u shpreh Kirill Pecakov, VMRO-DPMNE.
Për formimin e Bashkësisë së re Islame, ende nuk janë shprehur as nga BDI-ja.