Thirrja e BE-së dhe Kanadasë për Bjellorusinë: Pranoni propozimin e OSBE për të dërguar delegacion në Minsk
Bashkimi Evropian dhe Kanadaja u bënë thirrje autoriteteve Bjelloruse që të pranojnë propozimin e OSBE për të dërguar një delegacion në Minsk për të ndihmuar në krizën politike të vendit.
“Ne, si miq të popullit bjellorus dhe mbështetës të sovranitetit e pavarësisë së Republikës Bjelloruse, qëndrojmë pranë dëshirave të njerëzve për ndryshim demokratik”, thanë Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell dhe Ministri Kanadez i Punëve të Jashtme Francois-Philippe Champagne në një deklaratë të përbashkët të mërkurën.
Diplomatët theksuan se autoritetet bjelloruse duhet të pranojnë menjëherë vizitën e propozuar për një delegacion të nivelit të lartë nga OSBE. Tani është urgjente të fillohet një dialog kombëtar i hapur dhe konstruktiv për të gjetur një rrugëdalje në Bjellorusi, theksoi Borrell dhe Champagne, duke u bërë thirrje anëtarëve të tjerë të organizatës të mbështesin iniciativën.
Sipas BE-së dhe Kanadasë, “zgjedhjet e fundit presidenciale nuk ishin as të lira dhe as të drejta” në Bjellorusi, përkundër faktit se vendi si një shtet pjesëmarrës në OSBE “është zotuar të mbajë zgjedhje vërtet demokratike dhe të mbështesë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore”.