Tjetër ditë tragjike në Britani, 778 viktima në 24 orë nga COVID-19
Bilanci i viktimave nga koronavirusi ne Britani vijon të rëndohet.
Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 778 viktima ku në total, 12,107 persona e kanë humbur këtë betejë me pandeminë.
Shërbimi Spitalor Kombëtar njoftoi se 744 viktima u regjistruan në Angli ndërsa 34 të tjerë në Uells, Skoci dhe Irlandën e Veriut.
Por mungesa e regjistrimit të viktimave në kohë i bën raportimet ditore jo 100 përqind të sakta.
Ekspertët britanik shprehen se janë duke punuar me kujdes që t’i identifikojnë sa më saktë këto shifra.
Një statistikë pozitive vjen nga personat e infektuar ku është vënë re një ulje e vogël gjatë ditëve të fundit.
Gjatë 24 orëve janë regjistruar 5,252 raste të reja të infektuarish me COVID-19 me një total prej 93,873 personash.
Në një raport të publikuar nga Zyra e Përgjegjësisë Buxhetore në Britani tregon se mund të tkurret një e treta e ekonomisë së vendit.
Nëse kjo pandemi dhe masat izoluese të ndërmarra nga qeveria do të vazhdojnë edhe për 2 muaj, 10 përqind e forcës punëtore (2 milionë persona) do të mbeten të papunë.