Tornado në SHBA, 26 viktima dhe shkatërrim masiv
Të paktën 26 viktima, dhjetëra të plagosur, shkatërrim masiv dhe lagje të tëra të rrafshuara. Është ky bilanci që la pas tornado e fuqishme që goditi shtetet jugore të Misisipit dhe Alabamës.
Në Rolling Fork të Misisipit, qytezë thuajse e fshirë nga faqja e dheut, shtëpitë janë kthyer në rrënoja, e nëpër rrugë ka vetëm automjete të copëtuara, tulla dhe xhama të thyer. Të paktën 10 tornado goditën Misisipin, Albamën dhe Tenesin, duke mbjellë shkatërrim kudo në rrugën e tyre. Në qytezën e Rrollong Forks, erërat i kaluan 270 km në orë.
“Ishte sikur shpërtheu një bombë”, rrëfejnë të mbijetuarit. Presidenti Joe Biden shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për Misisipin ditën e diel dhe urdhëroi ndihma federale për të ndihmuar në përpjekjet e kërkim shpëtimit dhe rimëkëmbjes së zonave të prekura. Ai i përshkroi si tejet të dhimbshme dëmet e shkaktuara nga tërmeti. Tornado goditi në mesin e natës, ndërsa qytetarët ishin në gjumë dhe nuk i kishin dëgjuar paralajmërimet e autoriteteve.