Trageti me 500 pasagjerë në bord përfshihet nga flakët. Të paktën 37 persona të vdekur, 100 të plagosur
Të paktën 37 njerëz kanë vdekur në Bangladesh pasi një traget mori flakë natën e së premtes, ndërsa pasagjerët e tmerruar u hodhën në det për t’i shpëtuar zjarrit.
Tragjedia ndodhi në një lumë rreth 250 kilometra në jug të kryeqytetit të Bangaldeshit, Dhaka.
“Kemi gjetur 37 trupa. Numri i të vdekurve mund të rritet. Shumica vdiqën nga zjarri dhe disa u mbytën në lumë”, i tha AFP-së shefi i policisë lokale, Moinul Islam.
Zjarri sipas tij filloi në kabinën e motorit të tragetit. Pavarësisht së në traget ishte e lejuar të ishin 310 persona, në momentin e tragjedisë aty ishin të paktën 500 njerëz. Shumica prej tyre po ktheheshin në shtëpi nga kryeqyteti.
“Rreth 100 të lënduar nga djegiet janë dërguar në spitalet e Barisal”, tha Moinul Islam.
Në muajin gusht të këtij viti, 21 persona humbën jetën kur u përplasën një varkë e mbushur me pasagjerë dhe një anije mallrash e ngarkuar me rërë. Ndërsa në dy aksidente të tjera në muajit prill dhe maj u vdiqën 54 persona.
Gjatë vitit të kaluar rreth 100 persona vdiqën si pasojë e si aksidenteve të anijeve./REL